Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, hapi Konferencën e sivjetmë Mesdhetare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Jordani, në cilësinë e kryesuesit të grupit të partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim të OSBE-së.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në fjalën hyrëse, Osmani iu referua sfidave të përbashkëta të sigurisë me të cilat përballen vendet e Mesdheut dhe vendet pjesëmarrëse të OSBE-së.
Ai iu referua agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimit të fortë në proceset politike dhe të sigurisë në rajonin e OSBE-së dhe në vendet e Mesdheut.
“Pavarësisht se përpjekjet tona të përbashkëta për të ndaluar agresionin kundër Ukrainës nuk po japin fryte për momentin, në dritën e fytyrës luftarake të Federatës Ruse, kjo nuk është koha për disfatizëm, por për angazhim aktiv. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të reduktuar dhimbjen dhe ashpërsinë e agresionit, me një fokus të fortë te njerëzit që vuajnë dhe kanë nevojë për mbështetje. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë forum për të ritheksuar ndërvarësinë e sigurisë mes dy rajoneve, atë të OSBE-së dhe Mesdheut, në mënyrë konstruktive dhe në frymën e partneritetit të vërtetë – prioritete të përbashkëta që ndikojnë në jetën e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Osmani.
Në vazhdim ai iu referua rëndësisë së zbatimit të axhendave kombëtare në mbështetje dhe fuqizim të të rinjve, grave, përballjes me efektet e ndryshimeve klimatike dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Osmani nënvizoi se këto tema do të jenë pjesë e axhendës prioritare gjatë kryesimit të vendit me OSBE-në në vitin 2023.
“Rinia jonë tashmë po ndjen efektet blu të krizës klimatike. Ata duhet të jenë në ballë për t’u përballur me këto fenomene për vitet në vijim. E ardhmja jonë do të jetë në duart e tyre dhe ne duhet të krijojmë parakushte për veprim efikas dhe angazhim efektiv të tyre”, theksoi ai.
“Fokusi i debatit ishte në sfidat e sigurisë të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe implikimet përkatëse; ndërvarësia e sigurisë ndërmjet rajoneve, evropiane dhe mesdhetare, dhe nevoja për bashkëpunim konkret dhe angazhim pozitiv; implikimet e agresionit, mungesës së ushqimit, pasigurisë energjetike, krizës klimatike etj.”, thuhet në njoftim.
Në konferencën dyditore marrin pjesë mbi 200 përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim në tema prioritare që lidhen me fuqizimin e të rinjve dhe grave, që kanë të bëjnë me rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe trafikimin e qenieve njerëzore etj./AA