Ministri për Rindërtim Arben Ahmetaj deklaroi se Turqia do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë së prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit duke ndërtuar 500 shtëpi në Laç. Në një konferencë të përbashkët për mediat, të mbajtur pas takimit me ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, Ahmetaj theksoi se projekti i rindërtimit ka filluar të marrë jetë.
“Projekti i rindërtimit ka filluar. Projekti do t’i mbijetojë kohës, është një risi nga ana teknologjike. Janë zgjedhur hapësirat për ndërtim në Durrës dhe Thumanë. Qeveria e Turqisë do të ndërtojë 500 shtëpi në zonën e Lezhës. Dua të falënderoj qeverinë turke për ndihmën që i dha popullit shqiptar. Falenderoj edhe ministrin turk për bisedën që patëm sot”-u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa ministri turk në fjalën e tij theksoi se Shqipëria është në vëmendjen e Presidentit Erdogan. “Shqipëria është në vëmendjen e Presidentit Erdogan. Do të ndihmojmë familjet që t’i kthehen jetës normale. Ngushëllime familjarëve.Projekti jonë do të mbarojë brenda 6 muajve, do të kemi një koordinim me qeverinë shqiptare”-tha Murat Kurum.
Risjellim në vëmendje se tërmeti i 26 nëntorit i mori jetën 51 personave, si dhe lëndoi mbi 900 të tjerë. Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë shkaktoi shumë dëme materiale, kryesisht në Durrës, Thumanë, Lezhë.