Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë sot në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjala ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Duke informuar mbi këtë takim, Vengu theksoi se nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.
Gjatë ministerialit, Vengu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në më shumë kapacitete operacionale, ringjallje të industrisë ushtarake, infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës.

Në këtë kontekst, Vengu vlerësoi se një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme.
Gjithashtu, ministri theksoi nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi.