Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi pasditen e sotme përmes një njoftimi në rrjetet sociale se ka nisur zyrtarisht procedura për zëvendësimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“Në përgjigje të interesimit të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020.
Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.
Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.