Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e qytetarëve të prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Zv/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se numri i të prekurve nga coronavirusi ka shkuar në 243.
Me anë të një deklarate të bërë për mediat, zonja Rakacolli njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve 20 janë konfirmuar pozitivë. Një lajm i keq vjen po ashtu tek rritja e numrit të viktimave. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetë dy pacientë të prekur nga coronavirusi, të cilët sipas ministrisë së Shëndetësisë vuanin nga sëmundje të tjera shoqëruese duke e çuar numrin total të viktimave deri tani në 13.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste. Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese. Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërrur jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve”, tha Rakacolli.
Aktualisht në Spitalin Infektiv në QSUT janë të shtruar 77 pacientë, ndërsa 8 prej tyre janë në terapi intesive dhe në kontrollin maksimal të bluzave të bardha. Ajo tregoi gjithashtu edhe hartën e qyteteve të prekura nga COVID-19.
“Ju informojmë se aktualisht, në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 129 raste
– Durrës 26 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 15 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 8 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 2 raste
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19”, shtoi Rakacolli.