Vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Shkup, Maqedoni e Veriut, për të diskutuar për dy ditë me radhë mbi sfidat që ka rajoni për sigurinë energjetike.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi në një prononcim për mediet theksuan nevojën e bashkëpunimit rajonal.
Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë nisur prej kohësh të bashkëpunojnë, sidomos për sa i përket projektit të ri të portit të Vlorës, ku parashikohet një gazifikim i lundrueshëm.
“Nuk duhet humbur rasti për t’u ulur me kolegët, për të diskutuar për të gjithë sfidat që Ballkani Perëndimor ka për sa i përket energjisë, që janë shumë të ngjashme me sfidat që Europa sot përballet, duke nisur nga siguria energjetike edhe duke vazhduar me eficencën e energjisë, por padyshim edhe me bashkëpunimin rajonal që është më i rëndësishmi për ne. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë nisur prej kohësh të bashkëpunojnë sidomos për sa i përket projektit të ri, i cili është projekti i portit të Vlorës, ku parashikohet një gazifikim i lundrueshëm, i cili do të ketë edhe zhvillime të tjera, si shpërndarja e gazit të lëngshëm në vende të tjera të rajonit, ashtu edhe prodhimi i energjisë elektrike përmes molekulave që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë të falënderoj shumë për mundësinë e dhënë sot”, tha Balluku.
Ndërsa Bytyçi bëri të ditur se e ardhmja duhet të bazohet në bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve të rajonit.
“E di që akoma nuk kemi bërë shumë punë me Korridorin VIII, shpresoj shumë shpejt do kemi rrugë të mira dhe lëvizje shumë më të shpejt, por mendoj se tema e energjetikës është një temë në të cilën duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë në fushën e investimeve në infrastrukturën rrugore edhe hekurudhore sepse e ardhmja, siç e thashë, duhet të bazohet në bashkëpunimin e ndërsjelltë të shteteve të rajonit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shumëçka për të ndarë së bashku”, u shpreh ai.
Sa i përket Korridorit VIII, zv/kryeministrja Balluku deklaroi se palët po punojnë për një plan të përbashkët për pikëtakimin e këtij korridori.
“Pavarësisht se nuk kemi marrë mbështetje nga Bashkimi Europian që të dyja palët prisnim, me fuqitë tona ne e kemi nisur, edhe ju e keni vënë gurin e parë të themelit, edhe ne po punojmë në lotin e parë për t’u takuar në pikën e re kufitare që dy skuadrat, dy ekipet e krijuara nga dy qeveritë, ajo shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, janë duke punuar ngushtësisht për të pasur sa më shpejt një plan të përbashkët se ku do të takohemi me Korridorin VIII”, tha Balluku.
Bytyçi shtoi se rasti i “Ballkanit të hapur” me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe fuqisë punëtore është një rast unik që duhet ta ndjekin të gjithë
“Rasti i ‘Ballkanit të hapur’ me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe fuqisë punëtore është një rast unik që duhet ta ndjekin të gjithë, posaçërisht në kohën kur po shohim se kemi një migrim të shtuar të popullatës prej Ballkanit Perëndimor për në Europë. Mendoj që ne duhet të bëjmë gjithçka që të tregojmë se mund të kemi zhvillim të mjaftueshëm ekonomik në vendet tona dhe jetë të mirë në vendin tonë”, u shpreh zv/kryeministri maqedonas.