Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u shpreh se Shqipëria do t’i japë Kosovës 7680 MWh, të cilat do të jepen në formën e depozitimit.
“Kryeministri Rama ka lënë porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Republikën e Kosovës, gjatë datës 31 dhjetor dhe 1 janar”, tha Balluku.
“Këtu në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore, specialistët tanë, së bashku me specialistët e Korporatës Elektromagnetike për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë shumë të rëndësishme”, theksoi Balluku.
“Kështu që pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Elektromagnetike kosovare kemi arritur që të sigurojmë 3600 MWh për datën 31 dhjetor dhe 4080 MWh për datën 1 janar. Në total 7680 MWh, të cilat do të jepen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovën, duke kërkuar që t’i rikthehen Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror, kur kushtet tona hidrike fillojnë dhe bëhen të vështira. Kështu që kjo depozitë, që do të dorëzohet brenda këtij muaji në Republikën e Kosovës, do kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës, pra nga muaji qershor deri në muajin shtator”, nënvizoi Balluku.
“Kam komunikuar gjithashtu edhe me kolegen time ministren e e Energjisë në Kosovë, e cila sot ka qenë në parlament, pikërisht në një debat mbi energjinë”, tha Balluku.
Ajo theksoi se, “kriza energjetike ka prekur gjithë botën. Çmimet e larta të gazit tashmë, por edhe të burimeve të rinovueshme kanë sjellë që shtetet të marrin vendime të rëndësishme për rritjen e çmimit, si të abonentëve, ashtu edhe të konsumit të bizneseve, përsa i përket energjisë elektrike. Por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, pasi qeveria shqiptare ka ndërmarrë një vendim shumë të rëndësishëm për të mbrojtur të gjithë brezin e abonentëve familjarë dhe të bizneseve të vogla”.
“Në ditët në vazhdim ne do të kemi mundësi për të folur më gjerë, edhe për abonentët, të cilët janë të lidhur në rrjetin e tensionit të mesëm, pasi ashtu siç ju jeni në dijeni, ka një kuadër ligjor që i detyron që të dalin në tregun e lirë. Por sigurisht në këto kushte kaq të vështira kur çmimi i kWh ka arritur në nivele të paperceptueshme deri më sot, qeveria shqiptare po analizon dhe po merr masat e duhura edhe për këtë target grup”, theksoi Balluku.
“Megjithatë sot fokusohemi tek Kosova. Është kënaqësi për ne, dhe është detyrë mbi të gjitha, që t’i ofrojmë vëllezërve tanë në Kosovë mundësinë për të pasur në mënyrë të pandërprerë shërbim energjetik gjatë dy ditëve të rëndësishme të Vitit të Ri, për shqiptarët, siç është data 31 dhe 1. Me porosi të veçantë të kryeministrit kjo detyrë është marrë shumë seriozisht nga ne dhe ne angazhohemi që përveç të gjithë ndihmës që do t’i japim Kosovës, do të ofrojmë shërbim të pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë”, përfundoi Balluku.