Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka bërë të ditur se u ka bërë një thirrje pjesëmarrësve të takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s të mbajtur të premten në Bruksel, që të bëjnë shumë më tepër në lidhje me situatën në Ukrainë, e cila është nën sulmin e Rusisë.
Xhaçka nënvizoi se në takim është diskutuar për rritjen e mbështetjes së vendeve aleate për Ukrainën.
Në një reagim në Twitter, kryediplomati shqiptar tha: “Në emër të Shqipërisë i bëra thirrje takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s për të bërë më shumë. Ne diskutuam rritjen e mbështetjes aleate për Ukrainën dhe se si NATO mund të forcojë më tej mbrojtjen e saj të territorit aleat.”
Ministria e Jashtme tha në një deklaratë se Xhaçka gjatë takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe komandantin e Komandës Supreme të Aleatëve për Evropë, gjeneralin Todd Walters.
Në takimin, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, morën pjesë edhe Finlanda dhe Suedia, vendet partnere operacionale të NATO-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate diskutuan pasojat e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke konfirmuar se vendet e NATO-s vazhdojnë t’i përgjigjen plotësisht të bashkuar dhe në një zë krizës më të madhe të sigurisë në Evropë për dekada./Argumentum.al