Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila qëndron për vizitë në Shkup, iniciativën “Ballkani i hapur” e ka quajtur një “iniciativë paralele” dhe se ajo është e rrezikshme për rajonin.
E pyetur për të komentuar iniciativën “Ballkani i hapur” në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ministrja Gërvalla-Schwarz tha se pa i mohuar të drejtën asnjë shteti të marrë vendimet e tij se në cilën iniciativë dëshiron të marrë pjesë, Kosova këtë iniciativë e konsideron të rrezikshme sepse “krijohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së”.
Ajo përmendi se vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë një proces të përbashkët rajonal, respektivisht Procesin e Berlinit, iniciativë e cila sipas saj të gjitha vendet e rajonit përpiqen të shtyjnë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët e këtij rajoni.
“Në këtë iniciativë Republika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit dhe ne konsiderojmë se hapja e iniciativave paralele, të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim veten në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja”, tha Gërvalla-Schwarz.
Siç theksoi kryediplomatja kosovare, iniciativa “Ballkani i hapur” po ashtu vë në pikëpyetje edhe përcaktimet gjeo-strategjike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor.
“Në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik. Maqedonia e Veriut, Kosova, janë shumë qartë të fokusuara si shtete që synim të tyrin përfundimtar e kanë integrimin në BE. Maqedonia (e Veriut) në ndërkohë është anëtare e NATO-s, ne dëshirojmë të bëjmë çmos për t’u anëtarësuar në NATO dhe prandaj synimet tona gjeo-strategjike janë shumë të qartë, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet për të gjitha vendet e rajonit”, u shpreh Gërvalla-Schwarz.
– “Iniciativë në përpjekje për të qenë vlerë e shtuar”
Duke folur mbi iniciativën “Ballkani i hapur”, Osmani, nga ana e tij, tha se rajoni ka nevojë për bashkëpunim më të thellë, si dhe për, siç tha ai, de-fragmentim të tregut edhe ashtu të fragmentuar, i cili si i tillë “nuk është atraktiv as për investitorë nga jashtë, por as nuk liron gjithë potencialin që e ka në drejtim të bashkëpunimit tregtar në rajon”.
Osmani tha se në rajon numërohen mbi 70 iniciativa dhe se secila prej saj ka kontributin e vet në të qenurit vlerë e shtuar për të thelluar këtë bashkëpunim.
“Edhe këtë iniciativë të fundit, e shoh si një iniciativë në përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të thellimit të bashkëpunimit rajonal, pa tentuar që të neutralizojë efektin e iniciativave të tjera rajonale që janë ekzistuese”, u shpreh Osmani.
Por, theksoi ai, për çdo iniciativë rajonale duhet bërë përpjekje që të shpjegohen dhe analizohet dhe më pas çdo vend i rajonit të marrë vendime për vete sa i takon përfshirjes në një iniciativë apo në tjetrën.
“Unë kujtoj se edhe kjo iniciativë duhet të kalon nëpër analiza të shumta shkencore për të parë benefitet politike, ekonomike, që mund t’i ketë dhe pastaj secili vend të marrë vendimet në kuadër të këtyre analizave”, shtoi Osmani.
Dje, në Shkup u mbajt Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, ku ndër të tjera, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iniciativën e ashtuquajtur “mini-Schengen”, e cila fillimisht u diskutua në vitin 2019 në Novi Sad dhe më pas edhe në Ohër dhe Durrës, e emëruan zyrtarisht “Ballkani i Hapur”.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina aktualisht nuk e mbështesin këtë iniciativë duke e konsideruar atë pa qëllime të qarta për rajonin, ndërkohë tre pjesëmarrësit në iniciativë deklarojnë se qëllimi përfundimtar i kësaj iniciative është angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Gërvalla-Schwarz sot qëndron për vizitë zyrtare në Shkup. Gjatë ditës së sotme, ajo po ashtu do të pritet në takim nga presidenti Stevo Pendarovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev dhe nga zv/kryeministri i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Artan Grubi.