Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka vlerësoi sot se “viti 2022 shënoi arritje të paprecedenta për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare, zëri i së cilës sot ka kaluar kufijtë e rajonit duke u bërë aktor i respektuar nga partnerët dhe aleatët në mbarë arenën globale”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Xhaçka u ndal tek arritjet e politikës së jashtme gjatë vitit të shkuar si dhe objektivat për vitin 2023.
Ajo nënvizoi marrjen e mandatit si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku performanca e Shqipërisë është vlerësuar nga partnerët europianë dhe amerikanë, ndërsa shtoi se “politika e jashtme e Shqipërisë ka fituar edhe më shumë respekt”.
Xhaçka vlerësoi si ngjarje me rëndësi kurorëzimin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, një ngjarje që sipas saj “duhet të kishte ndodhur më herët, por u shty për arsye që nuk ishin në dorën tonë”.
“Për ne sot rruga është e hapur dhe po punojmë për piketat hapëse që do të na mundësojnë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare”, tha ajo.
Xhaçka siguroi se “MEPJ do të vazhdojë të forcojë dialogun me vendet anëtare dhe KE-në, si dhe do të ketë bashkëpunim prioritar edhe me presidencën suedeze dhe atë spanjolle”.
“Kemi të drejtë të kërkojmë avancimin e shpejtuar të procesit të negociatave”, shtoi ajo.
Një tjetër ngjarje me rëndësi, sipas ministres, është mbajtja në Tiranë e Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. “Është hera e parë që ky samit mbahet në një vend jo anëtar të BE-së. Të gjitha këto janë dëshmi e transformimit të madh që ka pësuar Shqipëria. Samiti është mesazh i fortë që BE dha për perspektivën europiane të gjithë rajonit”, tha ajo.
Xhaçka informoi po ashtu se “këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit dhe do të mikpresë samitin e Procesit të Berlinit”.
“Nuk ishte e rastësishme që u zgjodhëm ne, ishte një përzgjedhje qëllimshmr bazuar në kritere objektive, duke parë te Shqipëria partnerin më të përkushtuar dhe te shqiptarët faktorin më serioz të stabilitetit në rajon”, tha Xhaçka.
Po ashtu, ministrja u ndal te rikonfirmimi i partneritetit strategjik me SHBA-në, ndërsa theksoi se gjatë vitit 2023 Shqipëria do të forcojë më tej rolin proaktiv në rajon.