Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock është e hapur për një zgjidhje diplomatike pas vendimit për të ruajtur sanksionet e BE-së kundër Iranit për programin e tij bërthamor.
Gjermania, Franca dhe Britania e kishin bërë të qartë se sanksionet do të mbaheshin “për shkak të programit të avancuar bërthamor të Iranit”, tha Baerbock në Uashington të premten.
Këto janë “pasojat e drejtpërdrejta të shkeljeve serioze dhe të vazhdueshme iraniane” të marrëveshjes bërthamore dhe kanë qenë që nga viti 2019, tha ajo.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015, e cila kishte për qëllim të parandalonte Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, sanksionet fillimisht ishin planifikuar të hiqen më 18 tetor.
Por ne mbetemi “të hapur ndaj një zgjidhjeje diplomatike”, tha Baerbock, duke shtuar se qëllimi është të shmanget përhapja rajonale, që do të thotë transferimi i armëve bërthamore ose mjeteve për prodhimin e tyre.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken përsëriti gjithashtu rëndësinë e një zgjidhjeje diplomatike. “Ne jemi të vendosur, presidenti Biden është i vendosur që Irani nuk do të fitojë armë bërthamore, në një mënyrë apo në një tjetër,” tha ai. “Ne vazhdojmë të besojmë se diplomacia është mënyra më efektive për të arritur këtë rezultat”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se do të fillojë konsultimet me Iranin, Kinën dhe Rusinë për hapat e mëtejshëm. Këto tre vende kishin negociuar marrëveshjen bërthamore së bashku me treshen evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.
Teherani ishte zotuar në vitin 2015 të kufizonte në mënyrë drastike pasurimin e uraniumit dhe të lejonte inspektime të rrepta nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Megjithatë, ish-presidenti i SHBA Donald Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe Irani u përgjigj me shkelje të detyrimeve të tij bërthamore, duke përfshirë monitorimin e kufizuar në mënyrë drastike të IAEA.
Pasi pasardhësi i Trump Joe Biden mori detyrën, SHBA-të dhe evropianët më kot u përpoqën të ringjallnin paktin bërthamor, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, ose JCPOA, në negociatat me Iranin./dpa-Argumentum.al