Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin, Gjermani, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin ajo e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.
Ministrja Krifca mori pjesë në pritjen zyrtare organizuar nga Kancelarin i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili e siguroi Kryeministrin Rama për mbështetjen e plotë të Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe fuqizimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.
Në takimin mes mes dy delegacioneve ministrja Krifca u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke hartuar një sërë prioritetesh bashkëpunimi me palën gjermane që do të jenë pjesë e marrëveshjes së re të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona”, u shpreh Krifca, teksa vuri në dukje rëndësinë e asistencës teknike në kuadër të procesit të anëtarësimit për përafrimin e legjislacionit, krijimin dhe funksionimin e institucioneve sipas dispozitave të Bashkimit Evropian, deri në anëtarësimin e vendit.
“Ne duhet të punojmë së bashku për të mundësuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër në Shqipëri në kuadër të strategjisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit që është hartuar me mbështetjen e ekspertizës gjermane. Bujqësia shqiptare, ka një objektiv të qartë, për rritjen e eksporteve bujqësore, teksa do të vijojë të përballet me kërkesa në rritje përsa i përket sigurisë ushqimore, metodave më efektive të tregtimit dhe tregtimit të produkteve, kushteve të ruajtjes dhe përpunimit”, tha ministrja.
Sipas saj, forcimi i bashkëpunimit rajonal në bujqësi, edhe në kuadër të procesit të Berlinit, duhet të ketë një shprehje të plotë në bujqësi, prandaj kjo është një fushë e rëndësishme bashkëpunimi për ne.
Ministrja dha lajmin se së bashku me GIZ-in, ka filluar aplikimi i programit të ri 3-vjeçar të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Zonave Rurale në Shqipëri 2 (SRD2), me një financim prej 7.5 milionë euro.
Përmes këtij programi synojmë promovimin e inovacionit në zonat rurale dhe rritja e mundësive të aplikimit të tij në fermat bujqësore dhe blegtorale nëpërmjet bashkëpunimit mes aktorëve privatë e publik. GJithashtu synojmë rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore të zonave rurale nëpërmjet përdorimit efektiv të burimeve ekonomike, integrimit të të rinjve, grave dhe të kthyerve nga emigracioni në zonat rurale.
Gjatë vizitës zyrtare në Berlin ministrja Krifca takoi përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë në kuadrin e zhvillimit të agroturizmit rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor.
Ministrja vizitoi gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave është edhe stenda shqiptare ku përfaqësohet edhe agroturizmi shqiptar që kanë marrë jehonë në shumë medie prestigjoze ndërkombëtare për zhvillimin që ka shënuar dhe trendin turistik që po tërheq vizitorë dhe turistë në çdo stinë të vitit.
/Argumentum.al