Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria zhvilluan sot në Brindizi një samit me temë qendrore Korridorin VIII.
Samiti, i zhvilluar në kështjellën ”Federiciano”, u kryesua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Në të ishin të pranishëm edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani dhe ajo bullgare, Maria Gabriel.
Samiti ka si objektiv kryesor rivitalizimin e Korridorit VIII, një infrastrukturë multimodale e përfshirë në rrjetin strategjik evropian të transportit (TEN-T), që do të lidhë detin Adriatik me Detin e Zi.
Axhenda përfshinte gjithashtu një diskutim të fokusuar në konfliktin në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor dhe çështjet e migracionit si dhe një diskutim mbi nevojën për përfshirje më të madhe të komuniteteve lokale dhe brezave të rinj, çështje thelbësore për rritjen e besimit të shoqërisë civile ballkanike në perspektivat e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit.
Pas seancës plenare për integrimin dhe bashkëpunimin në formatin 1+4, u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e ministrave.
“Me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut ne duam të promovojmë bashkëpunim dhe integrim më intensiv përmes Korridorit VIII. Ky takim do të shërbejë gjithashtu për të nisur një platformë për dialog dhe bashkëpunim politik, i cili, duke asociuar dy shtete anëtare të BE-së dhe dy vende kandidate, përbën një shembull për bashkëpunimin rajonal në Ballkan”, deklaroi Tajani.
”Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Italinë, në të cilin qeveria ka investuar, duke u bërë një lojtare lidere”, theksoi ai.
Në kuadër të samitit, pas një vizite të shkurtër në bordin e anijes ”San Giorgio” të Marinës Italiane, Tajani dhe ministrat e tjerë të Jashtëm do të udhëtojnë në Qendrën e Shërbimeve Logjistike Globale të Kombeve të Bashkuara dhe Qendrën e Mbështetjes Humanitare.
Baza e OKB-së në Brindizi përfaqëson një qendër ekselence, në të cilën Italia synon të vazhdojë të investojë, edhe në sajë të aktiviteteve të nxitura që krijon për ekonominë vendase.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot nga Brindisi se Korridori 8-të është një mekanizëm bashkëpunimi dhe integrimi që do të transformojë situatën ekonomike në të dy brigjet e Adriatikut dhe deri në Detin e Zi.
Në deklaratën e përbashkët për median me homologët e Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pas takimit të organizuar sot në Brindisi për Korridorin 8-të, Xhaçka u shpreh se “po punohet ngushtësisht në promovimin e një axhende që është në dobi të të gjitha vendeve tona”.
Xhaçka vlerësoi fillimisht përkushtimin e qeverisë italiane për ta bërë Italinë gjithnjë e më të pranishme në Ballkan.
“Marrëdhëniet shqiptaro-italiane janë të shkëlqyera sepse këto janë marrëdhënie të mbështetura në një miqësi të thellë dhe të sinqertë mes njerëzve tanë. Marrëdhënia jonë ka marrë një dimension edhe me strategjik nën rrethanat aktuale gjeopolitike nisur nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimin që ajo përfaqëson për sigurinë evropiane dhe atë të Ballkanit Perëndimor. Mënyra më e mirë për të trajtuar këtë kërcënim, mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin tonë, është përmes bashkëpunimit, përmes integrimit, duke punuar së bashku për të çuar përpara një agjendë të përbashkët shkëmbimesh, projektesh, zhvillimesh”, tha ministrja.
Ndaj ajo vlerësoi faktin se Korridori 8-të po merr kaq shumë vëmendje dhe që ka kaq shumë angazhim për ta kthyer këtë ide në realitet.
“Historikisht Brindisi, Bari dhe Pulia kanë qenë për ne porta e Perëndimit drejt Europës dhe nga ana tjetër Shqipëria, Durrësi dhe Vlora kanë qenë gjithmonë për Italinë porta e Ballkanit dhe Lindjes”, shtoi Xhaçka.
Ministrja theksoi se “Korridori 8-të është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor”.
“Po punojmë që Korridori 8-të, i përkthyer si një mekanizëm bashkëpunimi dhe integrimi, që do të ndihmojë në shndërrimin e detit Adriatik në kuptimin e plotë të fjalës në det që na bashkon dhe transformon situatën ekonomike dhe potencialin e zhvillimit të hapësirës sonë dhe do të na lejojë të shfrytëzojmë plotësisht të përbashkëtat dhe sinergjitë që ekzistojnë në të dy brigjet e Adriatikut dhe deri në Detin e Zi”, theksoi Xhaçka.
Ajo vlerësoi takimin katërpalësh sot në Brindisi dhe shprehu sigurinë se nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta do të avancohet me këtë ide deri në përfundim të saj.
“Investime të këtij lloji janë thelbësore për ta bërë perspektivën e BE-së të prekshme për qytetarët tanë, bizneset dhe shoqërinë civile me përfitime konkrete. Shqipëria kryeson këtë vit Procesin e Berlinit dhe ne synojmë të bëjmë forcimin e ndihmës financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe pikërisht për këtë temë kryesore që po diskutojmë sot një nga fushat kryesore apo një nga temat kryesore të Samitit në tetor. Në mendimin tonë, fokusi i Procesit të Berlinit duhet të jetë arritja e përputhshmërisë ekonomike me standardet e BE-së”, tha ministrja.
Kjo, sipas saj, “është thelbësore për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit tonë në këtë periudhë të trazuar për sigurinë evropiane dhe globale”.
“Në këtë kontekst sfidash të sigurisë, ne kemi nevojë që BE-ja të ruajë vrullin e ri të procesit të zgjerimit përmes veprimeve konkrete. Prandaj, Korridori 8-të është një korridor që do të na bashkojë, do të jetë edhe një korridor sigurie. Ne të gjithë e mbështesim dhe do të punojmë bashkërisht për ta avancuar atë sa më shpejt”, theksoi ajo.