Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi sot në MEPJ një takim të posaçëm me përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, për t’i informuar mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, si dhe për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në mbështetje të Ukrainës.
“Mendova se ishte e dobishme të takohem sot dhe të diskutojmë përpjekjet tona për të mbështetur miqtë tanë ukrainas. Unë do të doja t’ju bëja një përmbledhje të shkurtër të asaj që po bën Shqipëria dhe të diskutojmë mënyrat se si ne të gjithë mund të punojmë për të rritur në shkallën maksimale përpjekjet tona, veçanërisht kur bëhet fjalë për diplomacinë”, tha në fjalën e saj Xhaçka.
“Këto janë kohë shumë të vështira dhe shumë sfiduese. Kohë shumë të dhimbshme dhe tragjike gjithashtu që shpresonim se nuk do t’i shihnim më kurrë në kontinentin evropian. Për ne në Ballkanin Perëndimor kjo është veçanërisht e dhimbshme dhe dhimbja e miqve tanë ukrainas krijon një rezonancë në një mënyrë veçanërisht të fortë, sepse ne ende i kujtojmë imazhet e tmerrshme nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Kosova, luftërat e fundit në Evropë siç menduam. Jo vetëm kaq, por si një rajon që është parë prej kohësh nga Rusia si një një zonë e pambrojtur nga BE ndaj sulmeve, si një rajon që ka përjetuar ndërhyrjen ruse dhe përpjekjet për të fermentuar tensionet dhe konfliktet, ne ndjehemi të shqetësuar për çfarë po ndodh”, theksoi ministrja.
“Lufta ka mbërritur në Evropë. Lufta ka mbërritur në Evropë pa arsye racionale. Lufta ka ardhur, sepse Rusia, ose më mirë presidenti i saj, dhe lidershipi i saj – aq sa udhëheqja e saj mund të bëjë gjithçka pa e thënë presidenti – vendosën se nuk mund të jetonin me një Ukrainë paqësore dhe demokratike, si fqinjin e tyre dhe ndërmorën një luftë të paligjshme agresioni ndaj një fqinji paqësor, në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve dhe normave që drejtojnë sjelljen e qytetëruar dhe sistemin e bazuar në rregulla ndërkombëtare. Në të vërtetë, mund të thuhet se dëshira për të shkatërruar sistemin e bazuar në rregulla është një motivues i fortë për Vladimir Putin”, theksoi Xhaçka.
“Rusia zgjodhi të shkojë në luftë dhe unë besoj fuqimisht se ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë zgjedhje të tmerrshme sa më të kushtueshme për Rusinë që të mundemi. Jam krenare që në këtë përballje mes demokracive dhe diktaturës, mes një populli të lirë evropian dhe një tirani rus, Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm, duke e tejkaluar peshën e saj dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm veçanërisht në fushën e diplomacisë Nga OSBE-ja dhe NATO-ja ku propozimet tona kanë qenë konkrete dhe të guximshme, te Këshilli i Sigurimit i OKB-së ku jemi bashkëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, vendi ynë është në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur kostot dhe izolimin për Rusinë”, u shpreh Xhaçka.
“Siç mund ta keni ndjekur në media në këtë moment, Shqipëria është rreshtuar plotësisht me BE-në dhe po zbaton në territorin e saj masat kufizuese të miratuara nga Këshilli Evropian kundër Rusisë për cenimin ose kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Aktualisht jemi duke plotësuar bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave. Siç e dini të gjithë ekzistojnë dy kategori kryesore të sanksioneve, ekonomike dhe individuale. Kemi miratuar sanksione në lidhje me ngrirjen e pasurive të 654 individëve dhe 52 subjekteve. Individë, duke filluar nga Presidenti i Rusisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, të cilët mbështetën njohjen e menjëhershme nga Rusia si subjekte të pavarura të dy zonave Donetsk dhe Luhansk, anëtarë të parlamentit rus Duma, e cila ratifikoi vendimin e qeverisë për Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjelltë ndërmjet Federatës Ruse dhe këtyre dy subjekteve”, nënvizoi Xhaçka.
Gjithashtu, shtoi ministrja, “është vendosur ndalimi i hyrjes në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërsa në lidhje me politikën tonë të vizave ndaj Rusisë po shqyrtojmë anulimin e të gjitha marrëveshjeve për lëvizjen e diplomatëve dhe zyrtarëve rusë dhe biznesmenët. Ne i jemi bashkuar gjithashtu sanksioneve ekonomike të BE-së që përfshijnë masa kufizuese në financa, energji, transport dhe teknologji”.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fxhackaolta%2Fvideos%2F917064359175952%2F&show_text=false&width=560&t=0″ width=”560″ height=”314″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>