Përfaqësues të minioritetit grek në Shqipëri kanë paraqitur një listë të gjatë me ankesë në OSBE lidhur me trajtimin e tyre nga qeveria shqiptare. Kryetari i OMONIA, Vasil Kajo ka marrë pjesë në një takim të OSBE, zhvilluar këto ditë në Varshavë të Polonisë.
Sipas njoftimit të OMONIA, Kajo ka paraqitur një raport për mungesën e respektimit të të drejtave të minoritetit. Ai ka kërkuar që gjuha greke të përdoret paralelisht me gjuhën kombëtare shqiptare. “U bë referim në çështje të edukimit, arsimit në gjuhën amtare Greke, duke kapërcyer abuzivitetin e “zonave minoritare” dhe gjithashtu në përdorimin në jetën publike të gjuhës Greke paralelisht me gjuhën zyrtare të shtetit”,- tha Kajo.
Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek ΟΜΟΝΟΙΑ
DEKLARATË PËR SHTYP
Në sesionin e 12-të, 23 Shtator 2019, të veprimtarisë më të rëndësishme dhe të më të madhe për nga pjesëmarrja të OSBE dhe konkretisht të Organizatës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODHIR), që fokuson mbi Dimension Human, mori pjesë Bashkimi Demokratik për Minoritetin Etnik Grek. U përfaqësua nga Kryetari i Organizatës z. Vasil Kajo, i cili pati edhe mundësinë e fjalës në respekt të kohës që disponohet sipas procedurave të Konferencës.
Raportimi i Kryetarit të OMONOIA-s, që përbën përmbledhje të një Raporti më të zgjeruar, u fokusua në probleme bazë që iu referohen privimeve në zbatimin praktik të të drejtave për pjesëtarët e Minoritetit Etnik Grek. Këto probleme mbarten në kohë por herë pas here sikundër ndodh në vitet e fundit, kanë përkeqësim të veçantë. Ndërhyrja ishte bazuar në ballafaqimin e parashikimeve të Ligjit mbi Minoritetet Etnike, të cilin nga viti 2017 ka miratuar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe gjendjes faktike që mbizotëron.
Në mënyrë të posaçme si ndërhyrja ashtu edhe Raporti që ju shpërnda përfaqësuesve të qeverive të shteteve – anëtare të OSBE, përfaqësuesve të shoqërisë civile dh, organizatave jo-qeveritare që trajtojnë çështje të minoriteteve etnike dhe kulturore si edhe autoriteteve të Organizatës, u fokusua në vonesat e përpunimit dhe miratimit nga ana e Qeverisë shqiptare të akteve rrjedhëse nga Ligji për implementimin e tij në praktikë, udhëzimeve, vendimeve të Këshillit Ministrave etj. Kjo vonesë e pajustifikuar veç të tjerave dëshmon në mënyrën më të mirë se mungon vullneti thelbësor nga ana e shtetit dhe vetë Ligjin e bën pretekst propagandistik për mbulimin e gjendjes reale.
Për BDMEG OMONOIA moszbatimi në respekt të germës i parimit të sanksionuar në praktikat e të drejtave të minoriteteve atë të dëshirës së lirë në vetëpërcaktimin e qytetarëve për t’i përkitur ose jo MEG, nuk reflekton thjesht mentalitete të së shkuarës apo diskriminimeve nacionaliste në dëm të tij, por në praktikë nuk e bën të lehtë zbatimin e parashikimeve të vetë Ligjit. Kryetari i BDMEG OMONOIA z. V. Kajo i mëshoi posaçërisht çështjes së Regjistrimit të fundit të Popullsisë në të cilin MEG por edhe minoritete të tjera në vend nuk morrën pjesë pikërisht për faktin e mos respektimit të kësaj të drejte. Me këtë rast i drejtoi thirrje OSBE-së që të kontribuojë në kapërcimin e kësaj shkeljeje të së drejtës bazike në Censusin e planifikuar për t’u realizuar në 2020, në mënyrë të zbatohet sikundër standartet Europiane përcaktojnë.
Kajo iu referuar gjithashtu çështjes së pronësive, me theks natyrisht në zonën bregdetare, por edhe trevat më gjerë ku historikisht dhe në numra të konsiderueshëm është prezent Minoriteti Etnik Grek. Mosrespektimi i kësaj të drejte themelore të njeriut, grabitja e pasurive komunitare, kishtare dhe monastiriale në thelb synon krijimin e klimës së pasigurisë dhe minon perspektivën e zhvillimit pa pengesa të komuniteteve helenike.
U bë referim në çështje të edukimit, arsimit në gjuhën amtare Greke, duke kapërcyer abuzivitetin e “zonave minoritare” dhe gjithashtu në përdorimin në jetën publike të gjuhës Greke paralelisht me gjuhën zyrtare të shtetit.
Raporti i plotë ka gjithashtu referenca edhe në të tjera çështje që preokupojnë politikën e BDMEG OMONOIA dhe që lidhen me përditshmërinë e pjesëtarëve dhe komuniteteve të Minoritetit Etnik Grek dhe që do të publikohet i plotë në ditët në vijim nga Zyra jonë.
Përfaqësuesja e Qeverisë së Shqipërisë ndërhyri në vijim me referenca të përgjithshme duke garantuar si zakonisht dhe përshkruar si të përmbushur detyrimet e shtetit, vullnetin e mirë për përmirësim në vijim si edhe tha se Regjistrimi i pritshëm do të realizohet në kushte më pozitive dhe duke ju qasur kërkesave të minoriteteve.