Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se mbi 87 360 individëve u është aprovuar e drejta e përfitimit të pagës financiare, prej 40 mijë lekësh, të cilët u prekën në punën e tyre për shkak të masave shtrënguese të qeverisë për të ndaluar përhapjen e infeksionit COVID-19.
Sipas DPT-së, deri tani kanë aplikuar për pagën financiare në paketën e zgjeruar të ndihmës financiare mbi 100 210 punonjës. Deri tani janë paguar 3.1 miliardë lekë.
Në total i është refuzuar e drejta e pagës financiare vetëm 3 572 individëve, ndërsa janë në proces 9 278 kërkesa.
Kërkesa të ndara sipas kategorive janë 9 635 të vetëpunësuar të vetëm, 11 651 të vetëpunësuar me punëmarrës, 1 122 të vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes, 666 të vetëpunësuar pa punëmarrës me punonjës të papaguar të familjes dhe 9 659 janë punëdhënës.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur një ditë më parë se janë 176 mijë individë që parashikohet të përfitojnë bonusin prej 40 mijë lekësh dhe se aplikimi do të jetë i hapur deri në mesin e muajit maj për tu dhënë mundësi të gjithëve të marrin pagesën që ju takon.
Ajo theksoi se do të aplikohen gjoba sipas akteve ligjore qe do të miratohen nga qeveria për bizneset që nuk do të aplikojnë për punonjësit e tyre, që të përfitojnë pagën e luftës prej 26 mijë lekësh për një periudhë tremujore, apo bonusin prej 40 mijë lekësh.