Ministri Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot në mbledhjen e e qeverisë u miratua një paketë financiare e rëndësishme që siguron tre elementë për industrinë ushtarake.
“Kemi një lajm shumë të mirë për industrinë ushtarake. Është miratuar një paketë financiare e rëndësishme që siguron tre elementë, e para shlyerjen e të gjitha detyrimeve që kanë pasur ndër vite tre komplekset e industrisë ushtarake shqiptare në Poliçn, Gramsh dhe Mjekës”, theksoi Vengu.
Vengu u shpreh se “me miratimin e kësaj pakete i japim fund një kalvari shumë të gjatë me detyrime të parapembetuar të pashlyera ndaj punonjësve, ish-punonjësve, njerëz që kanë një kontribut të çmuar në industrinë ushtarake sikundër i japim fund një kalvari të gjatë që këto kompani shtetërore kishin ndaj bashkive”.
Ndaj, vijoi Vengu, edhe paketa financiare e miratuar në aktin normativ vjen edhe në mbështetje të pushtetit vendor dhe ndërmarrjeve shtetërore me detyrime të akumuluara.
“Pika e tretë e rëndësishme është që akti normativ i jep financimin e nevojshëm krijimit të kompanisë shtetërore për industrinë ushtarake. Ligji hyri në fuqi para pak ditësh dhe tani kemi edhe paketën financiare që mundëson rikrijimin, riformatimin dhe rijetësimin e një kompanie shtetërore , e cila do të ketë të gjithë instrumentet ligjore dhe financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me investitorë të huaj nga vendet e NATO-s për të rijtësuar këtë industri kaq të rëndësishme”, tha Vengu.