Projektbuxheti i vitit 2025 u miratua në parim në Kuvendin e Shqipërisë pas një diskutimi prej 48 orësh. Ky buxhet mori 75 vota pro, 40 kundër, dhe 22 deputetë të pranishëm nuk morën pjesë në votim.
Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8.2 miliardë euro. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do ketë një rol të rëndësishëm.
Borxhi Publik pritet të reduktohet nga 55.8% të PBB nga 56.3% dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3.6% të PBB-së.
Sipas parashikimeve në buxhet, në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8% të forcës aktive për punë.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Parashikimet e shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024. Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6.2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Po ashtu, shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë, të fokusuara tek nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.
Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Investimet publike pritet të jenë në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.
Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban janë korridori i 8 nga Elbasan në Lekaj; bajpasi i Elbasanit; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës arteria me e rëndësishme industriale e vendit; rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; korridori i 8 nga Elbasan në Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë; projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.