Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot në parim projektbuxhetin për vitin 2022 si dhe paketën fiskale që do ta shoqërojë atë.
Gjatë diskutimit opozita u shpreh se nuk do të votonte këtë buxhet, pasi sipas saj nuk mbështeste qytetarin, por ishte një buxhet që shkonte në mbështetje të PPP-ve.
“Situata e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 ende nuk ka kaluar. Ne prisnim që qeveria t’u dilte në mbështetje qytetarëve për të kaluar këtë situatë duke rritur pagat e pensionet. Por qeveria mbështet sërish përmes këtij buxheti kontratat duke e lënë vetëm qytetarin”, tha deputeti Dashamir Shehi.
Por ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se paga mesatare është rritur duke shkuar në 56 710 lekë sot, nga 45 961 që ishte në 2013.
“Buxheti i parashikuar për vitin 2022 parashikon ulje të borxhit, rritje të mbështetjes për shtresat në nevojë, subvencion të fermerëve, normë investimesh prej 6.4 % që është mbi mesataren prej 5 % që ishte në vitet e kaluara, nivel më të lartë të rritjes ekonomike se sa mesatarja e viteve të kaluara. Paga mesatare është sot 56 710 lekë nga 45 961 lekë që ishte në 2013. Do të punojmë për rritjen e pagës mesatare. Rritja duhet të vijë paralel me rritjen e produktivitetit, sepse nuk mund të rrisim pagat pa patur rritje të produktivitetit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja po ashtu iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për shtim të numrit të të punësuarve në administratën shtetërore.
“Sot numërohen 83 740 punonjës buxhetorë, nga 87 205 që ishin në vitin 2013”, u shpreh Ibrahimaj.
Lidhur me pretendimet e opozitës për rritje të varfërisë në vend, ministrja Ibrahimaj tha se rreziku për të qenë i varfër është 23 %, dhe i vetmi vend me nivel më të ulët në rajon është Mali i Zi.
Ndërkohë sa i përket mbështetjes së fermerëve përmes këtij buxheti, ministrja u shpreh se subvencionet janë thuajse dyfishuar krahasuar me vitin që shkoi.
“Mbështetja për fermerët nga 1.7 miliardë lekë që ishte në vitin 2021, shkon në 3.2 miliardë lekë këtë vit”, deklaroi ministrja.