Me 97 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku u diskutuan ligjet e paketës së reformës së pagave tha se, kur kjo mazhorancë ka marrë drejtimin e vendit paga mesatare ishte 259 euro, ndërsa në prillin e vitit që vjen do të shkojë 900 euro.
“Është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin”, tha Rama.
Megjithate vete Kryeministri Edi Rama deklaroi sot votën kundër rritjes së menjëhershme të pagave për ministrat dhe deputetët, duke kërkuar që rritja të hyjë në fuqi në momentin kur të përmbushet e tërë reforma e pagave për administratën, që planifikohet në prill të vitit 2024.
“Unë për rritjen e pagave jam krenar dhe dua të falënderoj deputetët dhe pjesëtarët e kabinetit qeveritar, se është puna e tyre në këto vite, rezultat reformash, ligjesh e përpjekjesh. Tek pika e pagës së deputetëve dhe ministrave mua më keni kundër që të hyjë në fuqi menjëherë, por në momentin që hyn në fuqi e gjithë paketa e rritjes së pagave. Unë një jam bashkë me Erion Braçen. Kush bëhet tjetër, të ngrihet”, u shpreh Rama në seancën plenare ku po diskutohet projektligji për reformën e pagave.
Kryeministri Rama e cilësoi hipokrizi qëndrimin e disa deputetëve të opozitës për rritjen e pagave të deputetëve dhe të ministrave, pasi sipas tij ka një logjikë dhe një ekspertizë të caktuar mbi të cilën ndërtohet piramida e pagave.
“Është një hipokrizi e madhe. Një hipokrizi për të vënë duart në kokë, pasi nivelet e pagave nuk përcaktohen sipas qejfit, por me një logjikë që është logjika e një ekspertize të caktuar. Ka një piramidë pagash. Nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash e të vendosësh Presidentin e Republikës në një nivel page më të ulët se një mësues, pavarësisht se puna e përditshme e një mësuesi mund të jetë më me stres sesa puna e përditshme e Presidentit. Kemi bërë një herë një lajthitje. E kemi bërë me vetëdije, e kemi bërë me sistemin e drejtësisë. Është lajthitje, sepse nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se Presidenti. Mund ta kenë më me stres punën se Presidenti. Nuk mund të kemi gjykatës që paguhen më shumë se ministri i Drejtësisë“, u shpreh Kryeministri.
Po ashtu Sali Berisha deklaroi sot se, “nuk do e votojë projektligjin për rritjen e rrogave”.
Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend, sërish nënvizoi faktin se nuk do të votojë ligjin për rritjen e pagave.
‘Unë jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë Farsë të turpshme zgjedhore të pa ndodhur më parë, për t’u bërë shqiptarëve thirrje që të marrin në dorë fatin e tyre. Keni sjellë këtu një ligj të cilin pavarësisht këtyre kundërshtive do të kisha dashur ta votoja, pasi kam qenë dhe mbetem gjithnjë për rritjen e rrogave e pensioneve. Nuk e votoj këtë ligj sepse ky ligj është një mashtrim i tmerrshëm.’- tha Berisha.
Surprize sihte reagimi i Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, i cili e quan këtë rritje të pagës si politike ndërsa shtoi se me anë të kësaj skeme, qeveria po provokon sektorin privat të reflektojë dhe t’u rrisë rrogat punëtoreve.
“Rritja e pagës është thellësisht politike. Është reflektim i një qeverie. Por së fundmi me një rritje historike dhe reflektimi ka të bëjë me produktivitetin e administratës. Rritja është 1.6% të PBB. S’është bërë asnjëherë. Nëse ekonomia është rritur dhe PBB është rritur, paga mesatare rritet 100%. Që do të thotë i gjithë diskutimi që bën opozitës për inflacionin, kjo statistikë e rrëzon. Nëse në 2025 paga mesatare do jetë 900 euro në privat do të jetë 600 euro. Kjo është kundërshti në ekonomi. Në 2013 tatim fitimi, ka qenë 15 mld, sot është 48 mld. Paga mesatare është rritur me 43%fitueshmëria është rritur me 300%. Çfarë nuk meritojnë punonjësit? Është rritur fitimi i tyre 300% ndërsa paga mesatare është rritur 43%, ata nuk kanë reflektuar. Ne po provokojmë në formë shumë pozitive, sektorin privat. Rritja e pagave është e domosdoshme dhe në kohën e duhur.”- tha Ahmetaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur në fjalën e saj në Kuvend, gjatë seancës së sotme se reforma e pagave në administratë krijon kushtet e duhura për ta bërë administratën kompetitive.
“Synojmë të përmirësojmë hierarkinë, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Realizojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse me pagën. Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë”, tha ajo.
Ministrja bëri të ditur se, kjo reformë mundëson që për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët.
Paga bruto e Presidentit nga 257 mijë lekë aktualisht, shkon në 425 mijë lekë ose 65.3 % më shumë. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se në 2013-ën, mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë, ose 77 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë, ose 25 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, mësuesit në arsim parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë, ose 40 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Në Policinë e Shtetit, paga e një komisari shkon 105 mijë lekë, ose 36 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Ndërsa inspektori i parë i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 90 mijë lekësh në muaj, ose 37 mijë lekë më shumë se në 2013-ën.
/Argumentum.al