FOKUS
Veç të tjerash, ajo që bëri përshtypje gjatë qëndrimit të Ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock më 13 Shkurt në Helsinki ishte vizita e saj në mjediset e bunkerit gjigand 70 metra nën tokë në kryeqytetin finlandez; aty mund të strehohen në kohë lufte 900.000 vetë !
Ndërsa tani, në kohë paqeje, mjediset e tij përdoren si terrene sportive, gjimnastikë, fitnes, kulturë, patinazh, etj. Një kombinim i përkryer i kësaj strehe gjigande si për paqe dhe në kohë lufte.
Mediat gjermane njoftuan se Ministrja gjermane Baerbock doli me shumë mbresa dhe mendime nga vizita në atë tunel. Kjo mbasi pas agresionit dhe krëcënimeve ruse, në Gjermani është bërë temë madhoree diskutimi dhe mbrojtja e të gjithë shtetasve në rast lufte. Madje, po kërkohet nga të gjitha forcat politike që ndërtimi i strehave dhe bunkerëve me kostot përkatëse të majme financiare të përfshihet në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare në hartim e sipër.
Shënojmë se në këtë fushë jetike, pararojë është Finlanda me 50.500 bunkerë modernë, ku mund të strehohen 4,8 milion vetë, pothuajse gjithë popullsia e saj prej 5,5 Million banorë !
Nisur nga kjo përvojë, dhe në Gjermani janë shtuar zërat për ndërtimin e strehave dhe bunkerëve, si pjesë e rëndësishme përbërëse e « konceptit modern mbi mbrojtjen » sipas Nancy Faeser, Ministre e Brendshme Federale.
Vetë Baerbock, gjatë asaj vizite ne Finlandë theksoi se « siguri do të thotë siguri e e përditshme njerëzore, në çdo kohë e në çdo vend“
Në landin e Reinhard Pfalz në Bad Neuenahr – Ahrveiler ka kohë që është kthyer në muzeum bunkeri më i madh gjerman me mbrojtje atomike prej 16 km i gjatë. Ai kishte 936 dhoma gjumi dhe 897 zyra pune, për të gjithë anëtarët e qeverisë, Bundestagut dhe Këshillit Federal.
Qysh në vitin 2007 qeveria hoqi nga lista ndërtimin e 2000 bunkerëve për shkak të shpenzimeve tejet të larta. Aktualisht, në Gjermani ka vetëm 600 bunkerë ku mund të strehohen 500.000 banorë ose 1/166 banorë, shumë e pamjaftueshme.
Kësisoj, ndërtimi i bunkerëve të rinj, përfshi dhe ata privatë do të ishte një start i ri çka do të shtonte ndjenjën e sigurisë njerëzore në Gjermani.
Ndërkohë, qeveria federale po kritikohet për faktin se ndërsa shpenzon fonde me milione Euro nga borxhet, ajo tregohet « kurnace » në këtë fushë tejet të rëndësishme, kur rreziku për luftë është iminent.
Me të drejtë lind pyetja, kur vende të tilla, të vogla dhe të mëdha anëtare të BE-së dhe NATO-s po merakosen aq shumë deri te ndërtimi i bunkerëve, po te ne çpo bëhet ? Çfarë ka ndryshuar gjatë vitit pas agresionit rus në këtë drejtim? A po mendon qeveria për sigurinë e jetës së njerëzve por dhe të funksionimit të saj në një rast lufte, çka tani nuk është më hipotetik, por mundësi reale? Apo mendja vetëm te kullat?
NATO me të drejtë do të na mbrojë, si vend anëtar i saj, mirëpo kjo kërkon kohën e vet dhe jo në gjithçka. Sepse dhe ne vetë si anëtar i saj duhet të mendojmë për të mbrojtur kokën tonë dhe ku të futemi në rast rreziku.
Me të drejtë një ekspert i kësaj fushe kërkonte disa ditë më parë krijimin dhe forcilmin e sistemit tonë kundërajror dhe të tankeve. Por, të mos harrojmë njerëzit e tjerë civilë, gratë, fëmijët, të moshuarit në raste lufte.
Ja pse mesazhet gjermane, finlandeze, etj duhet të jenë kambana të fuqishme alarmi dhe për shtetin dhe qeverinë tonë. Ka ardhur koha që ajo të mendojë e të veprojë shpejt dhe me guxim dhe në këtë fushë jetike.
/Argumentum.al