REAL POLITIK FLASH NR. 91
1 – 16 QERSHOR 2024
Me komente ndryshe mbi 3 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Mirë me jashtë, keq me brenda! Kjo është gjendja te ne edhe mbas vizitës më 5 Qershor të Kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shëngjin, me rezultatet tashmë të njohura. Pavarësisht nga deklarimet, ajo ishte një shans për të shtuar kuotat në zgjedhjet europiane, ku siç dihet Meloni shkëlqeu. Ndaj dhe Kryeministri Rama iu drejtua në Italisht, mbasi ajo ishte vizitë e destinuar për publikun dhe zgjedhësit italianë, sidomos për ” Vëllezërit e Italisë”.
Takimet dhe fjalët e ngrohta treguan dhe njëherë se falë Realpolitikës dhe disa hapave të njohura diplomatike të Kryeministrit Rama, vendi gëzon emër më të mirë jashtë vendit. Edhe pse nuk kemi ndonjë rol të qenësishëm, dhe nëse nuk bëhemi dot aktorë, jemi bërë padyshim më aktivë në gjeopolitikë. Problemi qëndron te fakti se zakonisht vendet dhe liderët e tyre mundohen të përcjellin jehonën e politikave të brendshme jashtë vendit, se kështu bëhen më të besueshëm, ndërsa te ne po ndodh e kundërta. Brenda vendit plagët « kullojnë gjak » nga krimi, droga, korrupsioni, skandalet; pastaj, ne të keqen më të madhe e kemi mes vedi, mes forcave politike dhe vete brenda një partie. Ndaj, pa vendosur rregull në shtëpinë tonë, arritjet e jashtme diplomatike që do thënë se nuk janë dhe aq të vështira por dhe me pasiguri për të ardhmen, “ nuk të ngopin” dhe mund të harrohen shpejt. Vetëm ata që nuk duan të ndryshojnë këtë situatë, vazhdojnë avazin e gjeopolitikës boshe.
2. Djathtëzimi radikal në zemër të Europës! Kjo ndodhi në zgjedhjet europiane më 6 – 9 Qershor në 27 vendet anëtare të BE-së. Pa u zgjatur mbasi këtë temë e kam trajtuar hollësisht në shkrimin “ Kambana të fuqishme alarmi për Europën” te ARGUMENTUM, lajmi i zymtë është se në ato zgjedhje përcaktuese e djathta radikale shënoi rritje, ndërsa partitë liberale, të gjelbërit pësuan humbje të mëdha. Gjithsesi, shqetësimi i madh është se partitë e ekstremit të djathtë fituan bindshëm në zemrën e BE-së, te bashkëthemeluesit e saj – Francë, Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Holandë, si dhe në Austri, dhe gjetkë. «Vëllezërit e Italisë” të Melonit katërfisuan rezultatin e 5 viteve më parë. Në Francë, Bashkimi Kombëtar i Lë Penit fitoi mbi 2 herë më shumë se “Rilindja” e Macron, në Gjermani AfD-ja u rendit e dyta mbas CDU-së, duke lënë pas të tria partitë e koalicionit qeveritar të kryesuar nga social-demokratët e Scholzit, etj. Shqetësimi më i madh është se tanimë kjo e djathtë rrezikon të vijë në pushtet në Francë qysh këtë muaj dhe në Belgjikë, ndërsa vitin e ardhshëm, ose dhe më herët në Gjermani dhe Austri; ky djathtëzim radikal i BE-së kërcënon seriozisht shtetin e të drejtës dhe demokracinë liberale, sepse e djathta dhe e majta ekstreme nuk mund të bashkëjetojnë me partitë e moderuara për të patur Europën e sotme.
3. Nëse do paqe, përgatitu për luftë!
Kjo javë politike dhe diplomatike ndërkombëtare e nivelit më të lartë iu kushtua kryesisht mbështetjes ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës, në luftën e saj heroike për të smprapsur dhe mposhtur agresionin rus. Përmendim vizitat e Presidentit ukrainës Zelenski në disa metropole europiane, Konferencën e Donatorëve për rindërtimin e Ukrainës në Berlin më 10 – 11 Qershor, Takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATOS më 12 Qershor, Samitin e G- 7 në Pulia, Itali, me 13 – 14 Qershor me praninë, lutjet dhe fjalën e Papës dhe së fundi Konferencën e Paqes në Luzernë të Zvicrës me 15 – 15 Qershor. Me rezultatet tashmë të njohura, ku dallohen paketa 50 miliard Euro me interesat që lindin nga pasuritë ruse, livrimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore, sanksionet e reja amerikane ndaj 300 personave dhe firmave të lidhura me Rusinë, marrëveshja mbi sigurinë SHBA- Ukrainë, si pararendëse e anëtarësimit të saj në NATO, etj.
Këto ndihma janë shumë të dobishme në kushtet e tanishme kur Rusia ka ndërmarrë një ofensivë të re, duke sulmuar dhe pushtuar pjesërisht dhe përkohësisht disa qytete dhe zona strategjike. Kur Ukraina ka shumë nevojë për predha, armatime, sisteme moderne mbrojtjeje që të rivendosë situatën, të krijojë premisat për t’u hedhur në ofensivë të përgjithshme dhe deri në fitoren e saj të plotë në frontin e luftës. Efekti i kësaj mbështetjeje perendimore në rritje ka filluar të ndihet menjëherë, sidomos mbas livrimit të ndihmës së vonuar amerikane prej 61 miliard Dollarë dhe premtimeve nga shumë vende perendimore.
Java u mbyll me Konferencën e Paqes në Luzernë të Zvicrës. Po, vërtet nismë vullnet mirë, por që në rrethanat e tanishme në fushëbetejë nuk kishte asnjë shans për sukses. Madje, nuk ishte i ri as fakti se 80 vende mbrojtën integritetin territorial të Ukrainës. Kohë më parë, në OKB votuan Rezolutën pro saj 144 vende! Dihet se dhe më parë ka patur nisma dhe propozime për paqe në Ukrainë, por pa shans dhe vetëm për imazh dhe konsum të brendshëm/ të jashtëm politik. Të gjitha kanë mbetur dhe do të mbeten në letër. Ndaj, do të ishte që, në vend të këtyre forumeve të caktoheshin negociatorë ose ndërmjetësues të njohur që mbi bazën e diplomacisë së tyre të krizës të dilnin me propozime konkrete.
E megjithatë as kjo diplomaci paqeje nuk mund të funksionojë për disa arsye thelbësore që përmenden më poshtë. Ukraina nuk ka ende supremaci ushtarake, çka do ta detyronte Rusinë të ulej në tryezën e negociatave, por duke i diktuar Kievi kushtet dhe jo anasjelltas; pra për ta detyruar Putinin të pranojë kushtet e ndërkombëtarëve, të tërhiqet nga zonat e pushtuara dhe të japë garancitë se nuk do të guxonte të ndërmerte më sulme ndaj një shteti tjetër sovran. Çka është shumë larg realitetit, kur Putini dhe më 14 Qershor me kushtet absurde la të nënkuptohet qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë hap derisa të realizojë synimet e veta gjeopolitike dhe më gjerë, duke sfiduar hapur NATON dhe Perendimin.
Ndaj, konferenca dhe samite të tilla janë pa fryte, ca më tepër pa Rusinë, Kinën dhe me indiferencë apo qëndrime të paqarta ndaj Ukrainës nga India, Brazili, Argjentina, Arabia Saudite dhe vende të tjera me ndikim.
Në këto kushte, siç shprehet historiani i shquar francez N.Terzer paqja në Ukrainë mund të realizohet vetëm me “diplomaci lufte”. Ndaj, ta harrojmë Luzernën e bukur dhe të përqëndrohemi në rezultatet dhe premtimet e Berlinit, Brukselit dhe Pulias. Me moton e njohur që tingëllon tejet aktuale: “Nëse do paqe, përgatitu për luftë!”
© 2024 Argumentum