Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë nesër për herë të parë Shqipërinë.
Blinken pritet të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe pritet të qëndrojë deri në 20:00.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku do të kalojë Blinken, janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë.
Ndërkohë, në fasadën e Fakultetit Politeknik, është vendosur një poster gjigant i zyrtarit të lartë amerikan, me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”.
Fokusi i kësaj vizite pritet të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.
Sekretari Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, dhe gjithashtu me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu do të zhvillojë edhe një takim me të rinjtë tek Piramida.
Ndërkohë policia ka publikuar një plan masash në lidhje me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të SHBA Antony Blinken, në Tiranë ditën e nesërme.
Të angazhuar për sigurinë do të jenë me shumë se 1000 forca policie ndërkohë që do të bllokohen rrugët që nga Rinasi e zonat ku Blinken do ketë takime.
Forcat e angazhuara për sigurinë e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan do të jenë forcat RENEA, ato Operacionale dhe FKS.
Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:
▪️Ndalim parkimi.
Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
▪️Ndalim qarkullimi
Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
- Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
- Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
- Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
- Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
- Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
▪️Rrugë alternative
Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar.
Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve perkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.
Policia e Shtetit kërkon mirekuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.