Prof. Enver Bytyçi
Po bëhet një vit, që kur në Kinë u shfaqën simptomat e para të virusit Covid-19, i artikuluar fillimisht si “koronavirus”. Asokohe bota i mbajti sytë drejt Wuhan-it. Njerëzit dukeshin të shokuar nga lajmet që vinin prej Lindjes së Largët. Por askush nuk e mendonte se vetë vendet e Perendimit do të përfshiheshin në pandeminë e kësaj flame të rrezikshme. Krahas kësaj u përhapën me shpejtësi teoritë konspirative sa i përket burimit, shkakut dhe implikimeve të këtij virusi. Qyteti i Wuhanit u shndërrua në epiqendrën e vëmendjes së opinionit publik dhe bota priste me ankth se çfarë do të ndodhte më tej me përhapjen e Covid.
Dukej se Republika Popullore e Kinës dhe qeveria e saj do të viheshin në epiqendër të vëmendjes, pse jo edhe të kritikave, si “shkaktare” si dhe për paaftësinë e menaxhimit të situatës së krijuar. Ishin javët dhe muajt e parë të shfaqjes së virusit, kur edhe u artikuluan teoritë e ndryshme anti-kineze, madje deri në mitizimin e përgjegjësive të saj sa i përket sëmundjes së shekullit. Megjithatë njëzimi u befasua nga ngritja e një spitali gjigand brenda 24 orëve!
Po sot? Televizioni gjerman ARD, përmes korrespondentit të saj në Shangai, Steffen Wurzel, pohoi në fund të muajit të kaluar se Kina e kontrollon tashmë situatën e pandemisë. Se ajo nuk ka thuajse asnjë rast të infektimit. Dhe se masat e shtrëngimit, bllokimit dhe mbylljes janë të rralla.
Si u bë e mundur që Republika Popullore e Kinës e akuzuar si vatra e infeksionit të bëhej shembull dhe model i reagimit dhe kufizimit të rasteve të pandemisë Covid-19?! Nëse i rikthehemi përsëri fillimeve të pandemisë, teoritë konspirative formuluan shumë tabu, dogma e madje mite të caktuara për rolin kinez në këtë rast. P.sh u tha se virusi u përgatit në laboratorë dhe u përhap që andej. Në të vërtetë shkencëtarët seriozë provuan se Koronavirus Sars-Cov-2 ishte i njëjti virus një virus i njohur, i cili tashmë u shfaq në formën e Covid-19. Pra, mediet shkruan dhe përhapën lajmin e rremë se koronavirusi rrodhi nga laboratori i virologjisë në Wuhan, por ndërkohë më vonë u provua se ky virus kishte qarkulluar edhe para simptomave të para të shfaqura në qytetin kinez.
Qeveria kineze u akuzua se kishte dijeni që në nëntorin e vitit 2019 për ekzistencën e e Korona-Epidemisë, dhe se ajo për 45 ditë kishte evituar të njoftonte opinionin publik, ndërkohë që autoritetet kineze morën njoftimin e parë të rastit të panjohur me 27 dhjetor 2019 dhe shpallën alarmin për përhapjen e virusit vetëm dy ditë më vonë. Ndërkaq u hodh baltë në drejtim të Republikës Popullore të Kinës, kur ajo dhe qeveria kineze u akuzuan për atë se “nuk kishin marrë masa për mospërhapjen e pandemisë”, duke e bërë fajtore për përhapjen globale të saj. Por sot jemi para një të vërtete të pashmangshme. Kina është vendi model i përballimit të situatës, nëse i referohemi pohimit të shumë medieve edhe në Perëndim. Nëse kjo akuzë do të ishte e vërtetë dhe Kina nuk do të kishte marrë masa të rrepta, atëherë pandemia do të kishte shkaktuar miliona viktima në këtë vend, ndërkohë që viktimat e saj në raport me popullsinë janë më të ulëtat në botë.
Zërat e shumtë kundër Kinës gjatë kohës së pandemisë shpallën në publik sa e sa hamendësime dhe mite të tjera, si ajo për “represionin shtetëror ndaj mjekëve”, për “manipulimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, apo vërejtjen se “Kina ndihmon shtetet e tjera, me qëllim që të zgjerojë influencën e saj gjeopolitike”. Nëse ndalojmë vetëm te kjo e fundit, te aspekti gjeopolitik i përdorimit të pandemisë, duhet thënë se Republika Popullore e Kinës dhe qeveria e saj ndihmuan edhe vendet europiane, e më së shumti Italinë. Dhe nëse qeveria kineze do ta bazonte këtë ndihmë te interesat dhe ndikimet e saj gjeopolitike, është absurde të mendohet dhe besohet se ndikimi gjeopolitik e saj mund të shtrihej në vendet e Bashkimit Europian.
Çdokush e di tashmë se normaliteti dhe kontrolli i pandemisë në kombin gati 1.5 miliardësh të Kinës është kontributi më i madh që i jepet botës në këtë krizë globale. Nëse Pekini nuk do ta kishte kufizuar dhe nuk do të kishte evituar zgjerimin e infeksionit, bota do të kishte përjetuar një katastrofë shumë herë më të madhe sesa ajo çfarë ajo e përjeton sot. Përhapja e Koronavirusit në vendet e Bashkimit Europian, sidomos në Itali, Spanjë dhe Francë si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte shumë fish më e madhe dhe më e rëndë, nëse në Republikën Popullore të Kinës do të kishim një situatë pandemie të krahasuar me këto vende. Ndaj duhet thënë se Kina duhet falënderuar për atë që bëri dhe po bën në përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19!
Nisur nga këto fakte, duhet thënë me bindje se për njerëzimin ka qenë fat i madh fakti që qeveria e Pekinit mundi të përballojë me sukses përhapjen dhe ndikimin e pandemisë Covid-19. Mos përhapja e saj në Kinë, ka ndikuar në ruajtjen e shëndetit dhe në marrjen e masave të efektshme anti-Covid, sidomos në vendet e Azisë. Ndërkaq evitimi i përhapjes së kësaj sëmundje ka mundësuar që ritmet e rritjes ekonomike të shtetit kinez të jenë të admirueshme dhe kjo do të thotë gjithashtu një mundësi më shumë për të përballuar edhe pasojat e krizës ekonomike e financiare globale shkaktuar nga Covid-19. Është e ditur tashmë se krizat ekonomike e financiare në vendet e fuqishme, të cilat kanë peshë në GDP e përgjithshme, shkaktojnë një zinxhir të pandërprerë krizash në vendet e tjera më të vogla e më pak të zhvilluara. Rasti i falimentimit të bankave në SHBA në fund të dekadës së parë të këtij shekulli ndikuan që kriza të përhapej sidomos në Europën Perëndimore, por edhe në rajone të tjera të botës. E njëjta gjë mund të ndodhte në rastin e një recesioni të pandalshëm të zhvillimit ekonomik kinez në kushtet e sotme, si rezultat i pandemisë.
Steffen Wurzel shkruante para 20 ditësh se “Gati gjithçka në Kinë, përfshirë shkollat dhe universitetet, qendrat tregtare, restorantet, klubet e fitnesit etj janë të hapura. Ky lloj normaliteti në Kinë ishte i pamendueshëm para 11 ose 10 muajsh, ndërkohë që bota po shkon drejt një mbylljeje totale për shkak të valës pandemike të Covid-19./CRI