Një operacion i madh policor po zhvillohet prej orëve të para të mëngjesit të sotëm (28 maj 2019) në veri dhe në jug Mitrovicë, ku janë ndaluar disa zyrtarëve policorë dhe qytetarë. Policia e Kosovës informon për një polic të plagosur ndërsa Kosova press referuar burimeve të saj, raporton se gjatë aksionit janë plagosur dy policë në Zubin Potok.
“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ora 10:14 Policia: Në veri janë arrestuar policë shqiptarë, serbë e boshnjakë
Operacioni policor në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar, thotë policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Policia e Kosovës bën të ditur se së bashku me IPK-në përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor. Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor disa qytetarë të përfshirë në këto raste.
“Institucionet relevante iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Operacioni policor vijon ende.
Ora 10:10 Pacolli: Serbia të mos abuzojë me një operacion të thjeshtë policor
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se qytetarët kosovarë të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në veri janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.
Ora 10:06 Tre policë të plagosur në veri, njëri në gjendje më të rëndë
Sipas informatave të KMDLNj-së në Mitrovicë, që nga ora 5:00 njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion në të cilin janë arrestuar dhe ndaluar 30 persona, kryesisht policë serbë të Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë.Strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada.
Deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë shqiptarë, njëri është plagosur prapa shpine i cili është në gjendje më të rëndë dhe gjendet në Kirurgji, tjetri e ka hundën e thyer dhe gjendjet në ORL, kurse tjetri ka gërvishtje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë.
10:00 Dogana: Janë arrestuar katër oficerë doganorë dhe 7 qytetarë
Dogana e Kosovës nëpërmjet një komunikate për mediat thotë se personat e arrestuar janë katër oficerë doganorë dhe shtatë qytetarë.
“Aksioni është në vijim. Për detajet tjera do t’iu njoftojmë gjatë ditës”, thuhet në komunikatën e Doganës.
09:59 Thaçi fton komunitetin serb të bashkohen kundër krimit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe të përkrahë luftën kundër krimit të organizuar.
“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti thotë se në dekadën e dytë të shtetësisë së Kosovës, nuk do të ketë vend për krim të organizuar.
Ora 09:44 Presidenti i Kosovës mbledh strukturat e sigurise
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë.
Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë shkruan media kosovare.
Ora 09: 40: Gjuriç: Situata dramatike
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha në Beograd se situata është “dramatike” dhe se ka pasur edhe të shtëna në veri të Kosovës. Gjuriq tha po ashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe – subjekt politik i serbëve të Kosovës – që morën pjesë në një sesion të posaçëm të Kuvendit të Serbisë të hënën, udhëtuan për në Kosovë këtë mëngjes.
Ora 09:30 Media serbe: Vuçiç vuri në gadishmëri ushtrinë
Radio Televizioni i Serbisë, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raporton se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake.
Operacioni- “Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Operacioni po zhvillohet nga Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë
Polcia e Kosovës po ashtu theksoi se operacioni nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së policit kosovar, Enver Zymeri, në vitin 2011, dhe as të ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, më 2018, siç u tha në disa media serbe dhe lokale.
Reagon Haradinaj, bën thirrje për qetësi
Kryeministri i Kosovës thotë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policor, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
Haradinaj: Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin./ora news