Më shumë se 1,000 njerëz janë arrestuar në të gjithë Rusinë, sipas një grupi lokal monitorues, pas protestave kundër urdhrit të mobilizimit të pjesshëm të Moskës të mërkurën.
Mediat e pavarura të lajmeve thanë se disa prej të arrestuarve iu dha një thirrje për t’u paraqitur në zyrat e regjistrimit ushtarak të enjten, ditën e parë të plotë të rekrutimit.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i pyetur në lidhje me raportet se burrave të arrestuar po u jepeshin draft dokumentet, tha se nuk ishte në kundërshtim me ligjin.
Thirrja e Presidentit Vladimir Putin për të mobilizuar 300,000 rusë të tjerë për të luftuar në Ukrainë sinjalizoi një përshkallëzim të luftës e cila tashmë ka vrarë mijëra dhe zhvendosur miliona.
Monitoruesi OVD-Info tha se rreth 1,400 njerëz në 38 qytete ruse u arrestuan në protestat kundër luftës të mërkurën.
Sipas gazetarëve të agjencisë së lajmeve AFP në qendër të Moskës, të paktën 50 persona u arrestuan nga policia me mjete kundër trazirave, ndërsa në Shën Petersburg, policia rrethoi dhe ndaloi një grup të vogël protestuesish, duke i ngarkuar në një autobus ndërsa brohoritnin, “Jo. mobilizim!”
![](https://newsite.argumentum.al/wp-content/uploads/2022/09/largimi-1-700x550.jpg)
“Të gjithë janë të frikësuar. Unë jam për paqen dhe nuk dua të më duhet të qëlloj”, tha protestuesi Vasily Fedorov, një student që mbante një simbol pacifist në gjoks, raportoi AFP.
Në Yekaterinburg, qyteti i katërt më i madh i Rusisë, policia hodhi në autobusë disa nga 40 protestuesit që u arrestuan në një tubim kundër luftës.
Tubimet e së mërkurës ishin protestat e para mbarëkombëtare kundër luftës që nga fillimi i luftimeve në fund të shkurtit.
Ndërkohë, fluturimet jashtë Rusisë ishin pothuajse plotësisht të rezervuara këtë javë, treguan të dhënat e linjave ajrore dhe agjentëve të udhëtimit, në një eksod të dukshëm të njerëzve që nuk dëshironin t’i bashkoheshin konfliktit.
Të dhënat e platformës Google tregojnë një rritje të kërkimeve për “Aviasales”, faqja më e njohur ruse për rezervimin e biletave të udhëtimit.
“Air Serbia”, kompania e vetme evropiane përveç asaj turke “Turkish Airlines” që kryen udhëtime nga Rusia pavarësisht embargos të vendosur nga Bashkimi Evropian, shiti me shpejtësi biltetat për ditët e ardhshme, ndëra çmimet për fluturime nga Moska në Stamboll, ose Dubai kanë arritur deri në mbi 9 mijë dollarë, për një biletë një-drejtimshe të klasit ekonomik.
![](https://www.argumentum.al/wp-content/uploads/2022/09/russia-protests-against-mobilization-0921-700x550.jpg)
“Çdo njeri normal është i shqetësuar. Lufta është e tmerrshme. Është normale të frikësohesh nga lufta dhe vdekja”, tha Sergey, një rus që u largua drejt Beogradit.
Rusët mund të hyjnë në Serbi pa vizë. Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për të dënuar agresionin rus kundër Ukrainës.
Ndërkohë, më shumë se 100 pasagjerë rusë mbërritën në Stamboll të enjten. Njëri prej tyre tha se vendimi i Kremlinit e shtyu të largohet nga vendi.
Kremlini nuk pranoi të komentonte nëse kufijtë do të mbyllen për ata që i nënshtrohen urdhrit të mobilizimit, ndërsa u kërkoi banorëve të jenë të duruar deri në sqarimin e ligjit.
Ministri rus i Mbrojtjes tha se ushtria po thërret njerëz me përvojë dhe specialistë.
Por ka pak qartësi se kush futet në këto kategori. Personat me aftësi mjekësore duket se janë më të kërkuarit pasi një numër i madh mjekësh në Moskë kanë morrë urdhra mobilizimi.
Gjatë njoftimit të mobilizimit, Putin gjithashtu u zotua të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur territorin rus.
Dhe një ditë më parë, rajonet e Ukrainës të kontrolluara nga Moska njoftuan referendume aneksimi në rajonet e pushtuara të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia më vonë këtë javë, në të cilat njerëzve do t’u kërkohet të bashkohen me Rusinë.
/Argumentum.al