Ajo erdhi në Tiranë për Samitin Rajonal të Brdo Brijunit dhe Ditën e Evropës. Veçse këtë radhë siç erdhi dhe iku; sepse takimet e saj në Tiranë ishin thjesht « qoka » lamtumire dhe mirësjelljeje diplomatike, pa kurfarë jehone, kur për të ka filluar numërimi mprapsht. Gjithsesi, vështirë ta kishte menduar ajo vetë dhe mikpritësit se do të vinte kjo ditë e tillë e zymtë! Sepse Shqipërinë dhe Kosovën Festa e Evropës i gjeti në momente të vështira dhe nga më sfidueset. As liberalizim vizash për Kosovën, as çelje negociatash për Tiranën, madje me shpresa të vakta për në vjeshtë. U « dorzua » vetë kur pohoi se tani negociatat tona i kanë në dorë vendet antare. Për këtë gjendje, zonja Mogherini ka pjesën e madhe të fajit, sidomos me mbështetjen e tezës së ndryshimit/këmbimit apo korrigjimit të kufijve!
Por le të mos jemi nihilistë, sepse BE-ja gjatë pesë viteve të fundit pati dhe hapa e arritje në fushën e politikës së jashtme në bashkëpunim me aktorë dhe faktorë të tjerë madhorë, ku dhe Mogherini ka pjesën e vet, edhe pse jo si protagoniste por thjesht falë postit. Natyrisht patën rolin e tyre dhe disa kriza/konflikte të mëdha që shoqëruan Mogherinin në mandatin e saj pesëvjeçar. Ndaj, të kuptohemi, nuk po kërkon njeri që Mogherini të bëhej « rambo » politike apo të shpëtonte BE-në. Por, fjalën e kemi te roli, statura dhe personaliteti i saj, që ajo të imponohej në shumë negociata dhe tratativa me protagonizmin e saj. Për fat tӕ keq, ajo jo vetëm nuk shkoi më tej se paraardhësja e saj britanike Ashtown që vetëm titulli « Baroneshë » i mbahet mend, por e thelloi më tej bilancin negativ. Kontrasti bëhet dhe më i madh kur e krahason me Javier Solana, Përfaqësuesin e parë të BE-së për politien e jashtme e të sigurisë për 10 vite rresht, i kompletuar politikisht si ish ministër për 13 vite dhe ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në njerën prej periudhave histrike më të nxehta; negociator i zoti, ndërmjetësues, mjeshtër i diplomacisë së krizës dhe « ec e jakeve » ( shuttle diplomacy ) që i njihte një për një dhe liderët e vendeve më të vogla dhe kurrë nuk e « prishi gojën », si Mogherini me Haradinajt disa muaj më parë.,
Dihet tashmë se zgjedhja e Mogherinit si Përfaqësuese e Lartë e BE-së ishte më tepër frut i pazareve dhe ujdive politike; por sidomos fatit ; po, po, sepse në atë post duhej një i majtë dhe grua; por më 2014 e majta më e fuqishme e sapo afirmuar ishte PD italiane e Matteo Renzit, i cili nuk dihet se si anoi nga Mogherini; me kredenciale politike fare të pamjaftueshme për një post të tillë, sidomos kur krizat kishin shpërthyer kudo; me vetëm një vit si ministre e jashtme dhe Eurodeputete, e panjohur në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë italiane dhe ca më pak evropiane.
Gjithsesi u mendua se nisur nga pozita e Italisë, Mogherini do të kontribuonte me rolin dhe peshën e saj në paqësimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, dy prej zonave më të nxehta që do të justifikonin misionin e saj. Ndaj dhe Ballkani Perendimor u bë për të « kali i betejës» Me shumë shpresa dhe pritshmëri deri te nominimi i mundshëm për « Nobel » me Marëveshjen e synuar Serbi – Kosovë. Por shumë shpejt u pa se i « kishte hipur kalit së prapthi ».
Njëanshmëria e dukshme në favor të Serbisë i kompromentoi demarshet e saj për dialogun Serbi – Kosovë dhe rezultatin e tij. Ajo i la dorë të lirë fushatës agresive serbe kundër njohjes së Kosovës dhe tërheqjeve të saj, dështimit dy herë rresht për antarësimin e Kosovës në UNESCO dhe Interpol, etj. Nuk kemi dëgjuar t’u thotë një fjalë të vetme miqve të saj serbë! Kur e bëri këtë me « kujë dhe bujë » për taksat e Kosovës ndaj Serbisë, duke humbur çdo lloj besueshmërie si ndërmjetësuese e BE-së në krizën më të re Serbi – Kosovë dhe për faj të saj.
Me një guxim të habitshëm për një Përfaqësuese të Lartë të BE-së nxiti tezën e ndryshimit të kufijve, çka mund ta hidhte në erë gjithë punën dhe hapat e deritanishëm dhe filozofinë e re politike të BE-së pas shembjes së Murit të Berlinit 30 vite më parë. Dhe këto » në kokë të vet » pa kurfarë miratimi nga vendet antare e sidomos Franca me Gjermaninë, motori i BE-së. Edhe pse e shihte që ajo tezë kishte « lindur e vdekur » sepse jo vetëm nuk frymëzonte kënd, por kishte mbështetje minimale në Kosovë, Serbi dhe në Shqipëri. Kur Kisingeri emblematik e ka bërë fare të qartë se « Asnjë politikë e jashtme, sado e gjetur të jetë, nuk ka shans për sukses në rast se lind në mendjet e pak njerëzve dhe nuk prek zemrën e askujt »
Duke nuhatur me vonë dështimin spektakular, veproi dhe më keq duke e transferuar këtë krizë të re në OKB. Ku dihet se aty është dhe Rusia me Kinën që mezi e prisnin këtë « dhuratë » dhe « municion » për synimet e tyre gjeopolitike, për ta kthyer Kosovën në një « konflikt të ngrirë » që nuk do të kishte Zot ta « shkrinte më » Sepse dihet se Rusinë nuk e ha fort meraku për Thaçin dhe Kosovën por te pazaret e saj të ardhshme politike lidhur me Krimenë, Ukrainën, etj. Dhe në një farë mënyre Rusia është në të drejtën e vet, si i thonë fjalës « ki inatin por foli hakun ».
Për fat, në këto momente vendimtare, kur rrezikohej që Kosova të kthehej 20 vite prapa, Merkel dhe Macron i vunë « kufirin te thana » Thaçit, Vuçiçit dhe ndonjë tjetri që fshihet si struci.
Së fundi, edhe moskandidimi në postin e tanishëm nuk ishte për ndonjë mençuri të veçantë të Mogherinit, por për shkak të pafuqisë dhe « faturës » që duhet të paguajë për dështimet e saj. Ajo e pa se e kishte davanë e humbur si për dështimin e misionitashtu dhe për humbjen e mbështetjes nga partia e vet social-demokrate italiane. Këtë zhgënjim të madh me zgjedhjen e tij të gabuar për Mogherinin e ka shprehur vetë lideri i saj Renzi në librin e tij autobiografik botuar disa javë më parë. Por dhe pa këtë, vetë PD-ja italiane kë rënë në fund të « tabelës së renditjes » pa asnjë shans për ndonjë rezultat imponues dhe të favorshëm për Mogherinin.
Ja pse, këto muaj të mbetur deri më 1 Nëntor, vetëm falë postit, Mogherini vërtet do të shihet këndej dhe andej; por kryesisht për « qoka » sepse vështirë ta dëgjojë më njeri. Praktikisht, do jetë vetëm shefe ceremoniale e BE-së. Një lamtumirë e zgjatur dhe e mjegullt dhe një mësim i mirë për caktimin e një pasueseje të denjë. Vërtet që ajo shumë shpejt do të zëvendësohet dhe harrohet, por dëmi që i shkaktoi paqes dhe dialogut në Ballkanin Perendimor është i madh dhe do të duhet kohë për ta çbërë e për ta futur sërish në trasenë e tij normale.
Eskluzivisht për « Argumentum.al »
Shënim: Autori është diplomat i njohur karriere; veç të tjerash, më 1997 – 2001 dhe 2011 – 2017 ka qenë Nr.2 i Ambasadës sonë në Belgjikë dhe në Misionin pranë BE-së në Bruksel, ku ka mbuluar me përparësi marrëdhëniet me Parlamentin Evropian.
© Argumentum