Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, nis pasditen e sotme takimet e saj zyrtare në Tiranë. Shefja e diplomacisë europiane do të pritet rreth orës 16:30 në një takim të posaçëm nga kreu i qeverisë Edi Rama, ku më pas do të kenë dhe një dalje të përbashkët për shtyp.
Ndryshe nga herët e tjera, në këtë ardhje të saj në Tiranë, Mogherini nuk ka të parashikuar takime me kreun demokrat Lulzim Basha, apo me përfaqësues të tjerë të opozitës. Vizita e saj vjen pak javë para se Komisioni Europian të publikojë rekomandimin për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë, në 29 maj dhe 1 muaj para se në vendin tonë të zhvillohen zgjedhjet vendore.
Vizita e saj e fundit ishte në prill të vitit të kaluar, ndërsa pothuajse në të gjitha vizitat e saj në Tiranë, e ka gjetur politikën në mes të krizës. Mogherini është ftuar dhe nga Presidenti Meta të marrë pjesë në punimet e samitit të Brdo-Brijun, ku mblidhen në Tiranë të gjithë presidentët e Ballkanit, për të diskutuar për projektet e përbashkëta dhe ndihma që duan nga Bashkimi Europian.