Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në Samitin e Ligës Arabe në Tunizi ka treguar mbështetje për sovranitetin e Sirisë mbi Lartësirat e Golanit, të cilat Izraeli i ka okupuar, pasi javën e kaluar SHBA i ka njohur si territor izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Mogherini theksoi se zgjidhja e paqes nuk nënkupton injorimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që ndërlidhen me këtë çështje.
Ajo foli edhe rreth konfliktit izraelito-palestinez, duke theksuar se BE proklamon model të zgjidhjes me dy shtete.
“Zgjidhja e vetme reale dhe e qëndrueshme është zgjidhja me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës. Është përgjegjësia jonë që të parandalojmë huqjen e kësaj zgjidhjeje të papërsëritshme”, tha Mogherini.
Ajo theksoi se Kudsi duhet të jetë kryeqyteti i dy shteteve.
“Cilido plan i ardhshëm patjetër të pranojë parametrat e dakorduara ndërkombëtarisht për shkëmbim të territorit sipas situatës së vitit 1967, ku statusi i Kudsit parashihet si kryeqytet i ardhshëm i dy shteteve”, tha ajo.
Në Tunizi ka filluar Samiti i 30-të i liderëve të Ligës Arabe. Në samitin me të cilin kryeson presidenti i Tunizisë, Beji Caid Essebsi, marrin pjesë 13 liderë, mes të cilëve janë mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, dhe emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.
Në takim do të bisedohet për situatën në Siri, si dhe për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për Lartësirat e Golanit.
Në mesin e temave kryesore që do të përcaktohen në këtë takim janë edhe çështja e Palestinës, situata në Jemen dhe Libi, ndihma për zhvillimin e Sirisë dhe ndërhyrja e Iranit në çështjet e brendshme të vendeve arabe.