Pse Moikom Zeqo parashikon që klasa politike e sotme do të mbijetojë gjatë dhe se po afron një katharsis i historisë. Si do të zgjidhet kriza e tanishme dhe cili do jetë roli i ndërkombëtarëve sipas tij. A do kemi prapë një marrëveshje të çuditshme, groteske dhe të pabesueshme si në krizën e së ashtuquajturës “Çadra e Lirisë”. Çfarë i duhet Shqipërisë në vend të një “marrëveshjeje” të re që do riciklojë pas disa muajsh konflikte të reja. Pse fraza “O Cezar, o asgjë” ka kuptim edhe për harakirin e opozitës edhe për kryeministrin. A mund ta shmangë ky i fundit arrogancën, banalitetin e egër dhe shpërfillës që fsheh mungesën e vizioneve të mëdha? Pse opozita nuk i kërkon pozitës, korrigjimin e ndryshimeve të kobshme kushtetuese të vitit 2008 që kanë shkatërruar përfundimisht karakterin juridik të votimit të lire duke zëvendësuar vullnetin e popullit me vullnetin e kryetarëve-monarkë?
-Si e gjykoni situatën politike aktuale?
-Gjykimi im modest, por edhe i një njeriu, që është marrë dikur me politikë dhe sot e shikon në mënyrë gjakftohte politikën, duke qenë dhe skeptik për tërë klasën politike shqiptare, që për hir të shkencëzimit të termit e kanë mbiquajtur si klasë parapolitike, është se ndodhemi në një udhëkryq të krizës politike.
Në të vërtetë këto 28 vjet kemi përjetuar dhe kemi qenë në disa udhëkryqe të mëdha të krizës. Do të kujtoj këtu krizën e vitit 1996, pastaj më vonë atë të vitit 1997, pa harruar edhe grushtin Berishian të shtetit në 1998, pa harruar gjithashtu tragjedinë groteske të Gërdecit, akoma dhe më tej katër të vrarët e 21 janarit për të ardhur në udhëkryqin e krizës aktuale.
Duke qenë se nuk jam dakord me profetët apokaliptikë të politikës të cilët përsërisin në kor thënien biblike në latinisht “Abyssum, abyssum invocat” që do të thotë “Humnera po thërret humnerën”, që mendoj se do të ndodhë diçka e tmerrshme, e pashmangshme në Shqipëri, unë nuk do ta mbivlerësoja, nuk do ta bëja kriptologjike dhe ta quaja përfundimisht të pazgjidhshme krizën e tanishme.
Gjatë këtyre 28 viteve, e përsëris, të tëra ngulçimet dhe proceset irracionale të krizave, megjithëse dukeshin si rebuse të tmerrshme, prapë se prapë me anën e faktorit ndërkombëtar, që lidhet me elementin europian të integrimit, pavarësisht se situata shkonte në zgrip për t’u kthyer në një konflikt civil, madje edhe në luftë të armatosur, është gjetur zgjidhje e përafërt, ndoshta jo në mënyrë adekuate e përsosur, për gjithsesi është çliruar nga prangat e moskuptimit situata e tendosur. Meqenëse shembujt janë të njohur nga publiku, shembuj që kanë hyrë në kronikën e politikës, po kujtoj udhëkryqin e krizës së vitit 2017 të një revolte paraprijëse që u metaforizua si “çadra e lirisë”. Dihet nga të gjithë se kryetari i PD-së Lulzim Basha në këtë aksion politik të bujshëm dhe shpesh ulëritës kërkonte jo aq ndryshime radikale kundër qeverisë Rama, por diçka që tejkalonte dhe kapërcente sistemin, domethënë kërkonte atë që u quajt prej tij Republika e Re. Se ç’ishte kjo Republikë e Re, se çdo të përfaqësonte, se çfarë koncepti kushtetues dhe social do të kishte, është një gjë që në mënyrë retorike e di vetëm mendja fantazmagorike e kreut të opozitës.
Nëse kjo Republikë e Re do të parakuptonte fundin dhe shkatërrimin e estabilishmentit politik të Shqipërisë së tranzicionit, për të krijuar në të vërtetë një klasë politike të vërtetë dhe të emancipuar unë do të isha përkrahës dhe një argumentues i idesë. Por në të vërtetë mungesa e një kulture politike europiane dhe profesionale na bën shpesh të mendojmë se politika kinse është një lojë pokeri e retorikës dhe jo një disiplinë me atribute shkencore dhe që ka një tagër serioz, tepër serioz të mendësisë dhe të intelektit njerëzor.
Edhe më “çadrën e lirisë” opozita shqiptare arriti në një skaj të tillë të mprehtë siç është thika rituale e Samurajit, që bën harikiri. Por në vend që të kalohej në atë që quhet vetëvrasje politike, befas papritur dhe pakujtuar antagonizmi politik, përfundoi në një marrëveshje të çuditshme, ndonëse në pamje të parë ngjante groteske madje dhe e pabesueshme. A ishin ndërkombëtarët apo loja e Edi Ramës së bashku me Lulzim Bashën, që e sendërtuan dhe e bënë funksionale këtë marrëveshje, këtë nuk mund ta di, por as nuk mund ta mënjanoj, si dhe nuk mund ta konceptoj si një histori konspiracioni. Nuk kanë kaluar as dy vjet dhe ja tani më 16 shkurt të këtij viti u stimulua një miting apo protestë, relativisht masive, dhe pikërisht në 21 shkurt ndodhi gjithashtu diçka e pangjarë ndonjëherë më parë. Kryetarët e partive opozitare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi pas fjalimeve që përfundonin me frazën rituale “Zoti e bekoftë dhe shpëtoftë Shqipërinë” bën spektaklin e “djegies” së mandateve të tyre të deputetit. Kjo ndodh për herë të parë.
Shpresoj të ndodhë për herë të fundit. Pse e them këtë?
Së pari nuk jam dakord për këtë situatë in extremis.
Së dyti dorëzimi vullnetar i mandateve e ka megjithatë një proces edhe logjik por edhe kohor të anës juridike. Së pari dua të kujtoj se mandati i është dhënë një deputeti pas një procesi shumë të rëndësishëm kushtetues dhe publik që është votimi me vota. Çdo deputet është mandatuar nga votat e mijëra votuesve. Djegia e mandatit parakupton që edhe votuesit që ta dhanë këtë mandat, duhet që të jenë plotësisht dakord me të mandatuarin. Nëse votuesit nuk janë dakord atëherë gjesti i të mandatuarit e humbet kuptimshmërinë. Nga ana tjetër nuk ka ndodhur që opozita të heqë dorë nga mandatet en block. Por tani që ndodhi, pra kemi një formë eksperimentale. Nuk duhet harruar që disa nga PD-ja dhe LSI-ja qoftë një ose dy veta nuk kanë pranuar ta dorëzojnë mandatin. Çka do të thotë që pavarësisht numrit të tyre të pakët ata do të jenë përsëri deputetë ligjorë të opozitës. Ajo që më bën përshtypje të veçantë është reagimi i menjëhershëm por dhe pa ekuivok i ndërkombëtareve. Që nga Departamenti i Shtetit i Amerikës, që nga Organizmat e larta të BE-së, të gjithë pa asnjë lëkundje e kanë quajtur jo të urtë, jo të mençur dhe politikisht të gabuar këtë “harikiri” të politikës dhe konkretisht opozitës. Si ka mundësi që opozita që e urren dhe stigmatizon kryeministrin Rama duke e bërë këtë gjë një kauzë të një lufte për jeta a vdekje, nuk kanë opinionin pozitiv dhe përkrahjen e faktorit autoritativ dhe integrues të ndërkombëtarëve? Në qoftë se zgjedhja e deputetit përbën një kontratë sociale, jo vetëm politike por edhe esencialisht juridike, atëherë përgjegjësia e deputetit është që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë institucionale, e përsëris duke e nënvizuar, mundësitë institucionale të Kuvendit për të qenë publikisht, urbi et orbi, zëri i votuesve dhe opozitës. Si ka mundësi që opozita të privohet nga mandatet e saj të ligjshme kaq lehtësisht?
Më kujtohet fraza e famshme e Cezarit, kur kaloi lumin e Rubikonit që tha “Alea jacta est” domethënë “Zaret (shorti) u hodh”. Ndoshta në këtë mënyrë shorti i opozitës do të kishte parasysh dhe në vëmendje frazën tjetër “Aut Caesar, aut nihil” që do të thotë “O Cezar, o asgjë”. Kjo frazë ka kuptim edhe për kryeministrin. A mund të shmangej një konflikt i tillë? Sigurisht që mund të shmangej. Krijimi i një raporti antagonist i kryeministrit Rama me opozitën, përjashtues nga të dy anët nuk ka të bëjë fare me konceptin e lartë të politikës së mençur. Nëse do të kishim të tjera retorika, nëse ligjërimet politike do të ishin më të qytetëruara, pa banalitetin e egër dhe shpërfillës, pa arrogancën dhe mungesën e vizioneve të mëdha, nuk do të arrihej në përjashtimin absolut të dy palëve të politikës. Në të vërtetë edhe në shtetet e qytetëruara ka patur dukuri të antagonizmit politik midis partive.
Në librin tim “Konceptualiteti i Lirisë” i botuar në vitin 2009 kam folur për politikologun e njohur gjerman të quajtur Karl Shmit i cili teorinë e tij të politikës e mbështet mbi “konceptin e mikut dhe të armikut në politikë”. Por kjo nuk është shkencë.
Ndryshe nga Maks Veber, por dhe Karl Poper që kërkojnë dhe kufirin më të padukshëm të ekuilibrave në politikë, pra hapjes së dyerve në mur, na bëjnë të qartë dhe ne shqiptarëve që duhet të jemi të kujdesshëm për të konceptuar edhe politikën si një formë të humanitetit dhe të qytetërimit.
Teoricieni më i njohur në Europë i politikës sot Erhard Epler e citon një shembull shqetësues që ka ndodhur edhe në Gjermaninë e shekullit të XX. “Në një fushatë të politikanizuar elektorale në Gjermani (1976) pati reflekse të ngjalljes së konceptit të armikut të brendshëm. Kështu, një nga politikanët Manfred Cah, zyrtar i lartë ministror botoi në formën e një romani aludues, përvojën politike që vetë Cah e quan “mobilizim të marrëzisë”. Autori e përshkruan pa zbukurime dhe me llogari cinike, se ç’u bë me shpurën e kryeministrit Filbinger (në roman Braisinger), në këtë lak kohor: “Kreshedoja e polarizimit pa kushte rrit deri në kongresin e Partisë, në të cilin Braisinger mbajti një fjalim me polemikë të pashëmbullt dhe e ndau botën në të mirë dhe të këqij, në fora konstruktive dhe forca destruktive. Varret që ai hapi, ishin aq të thella dhe të gjera, sa dhe vetë ai, me vullnetit më të mirë nuk mund t’i kapërcente më. Duhej vendosur: kush nuk ishte me të, ishte kundër tij. Oskar Shpeht (në libër- Lothar Shpeth) dhe fraksioni që u bashkua me të, ishin tradhtarë…Si kalorësi në kështjellë, u trumbetua sinjali i zgjimit. Tashmë kushdo e dinte “kjo nuk ishte më thjesht një fushatë zgjedhore, kjo ishte një fushatë kryqëzatash të krishterë kundër vandalëve të kuq, të cilët në rast fitoreje do t’i vinin flakën, do të plaçkitnin dhe do të robëronin gjithçka”. Ky antagonizëm mes kundërshtarëve politikë, ishte shkatërrues. Kjo do të thotë që në një shoqëri demokratike, duhet përjashtuar antagonizmi midis kundërshtarëve politikë. Antagonizmi politik çon në penalizime kolektive dhe të fut në hullinë e një purizmi partiak, të monopolit të së vërtetës vetëm nga një parti”.
Shembulli i mësipërm nuk është për të ndenjur indiferent sot, për arsye se konkretisht lufta politike midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri i ka simptomat e antagonizmit, gjatë këtyre 28 viteve PS dhe PD janë shfaqur përherë si parti përjashtuese për njëra-tjetrën por në thelb nuk janë të tilla. Të gjithë janë shqiptarë, si në njërën parti, ashtu dhe në tjetrën. Madje ndryshimet në programet e të dy partive nuk janë të dukshme dhe ndarëse. Gjithashtu as koncepti klasik i së “majtës” dhe i së “djathtës” nuk përbën identifikimin programor të këtyre partive. Nga pikëpamja Kushtetuese si pozita ashtu dhe opozita nuk janë subjekte të antagonizmit të skajshëm, por janë subjekte komplementare
Është pikërisht juridiciteti kushtetues që e përcakton pozitën e kryeministrit si një pozitë jo vetëm për ata që e kanë votuar, por dhe për ata që nuk e kanë votuar. Në këtë pikë duhet reflektuar shumë qartësisht nga kryeministri.
-Cila është përgjegjësia e mazhorancës në këtë pikë?
-Përgjegjësia është në radhë të parë e Kryeministrit Rama. Për fat të keq deputetët e PS-së në Kuvend nuk e kanë as simbolizmin dhe as autoritetin publik për të qenë të mëveçëm, kështu që thënia se “të tjerët janë klonime të Kryeministrit” ka një konatacion të vërtetë. Mazhoranca, padyshim që duhet të ketë parasysh se opozita nuk është armiku i saj. Nëse përdorim në ligjërim vetëm termat anatemues, nuk do të ketë kurrë dialog. Po ç’është politika? Politika është shpikur si dialog. Politika është sublimim i dialogut. Në këtë kuptim shumica parlamentare nuk e ka monopolin e gjithçkaje dhe se pakica parlamentare duhet trajtuar në mënyrë të barabartë, pa asnjë mbivënie apo koncept pezhorativ.
Në Shqipëri të dy partitë e mëdha PS dhe PD (LSI është e treta midis aleancave herë me PS herë me PD) kanë qenë dhe në opozitë por dhe në pushtet. Asnjëherë nuk duhet menduar se kundërshtari yt politik nuk ka të drejtë, jo për gjithçka por për shumë gjëra, për arsye të procesit dialektit të jetës, për arsye parlamentarizmit të pashmangshëm.
E dinë politikanët shqiptarë këtë gjë?
A kanë përgjegjësinë dhe vetëdijen historike që nëse një krah i politikës është keq dhe tjetri është mirë, sipas klasifikimeve të propagandës përkatëse, tërë klasa politike nuk është aspak në rregull dhe nuk përfaqëson një standard të lartë të qytetërimit politik.
Nuk besoj se klasa politike e sotme do të mbijetojë gjatë.
Protesta e studentëve, të cilët refuzuan haptazi edhe partinë qeveritare por dhe partitë opozitare është sinjali se estabilishmenti politik i sotëm nuk e ka shumë të gjatë. Një proces i tillë i ndërrimit të estabilishmentit politik ka ndodhur në disa vende Europiane.
Si gjithmonë me shumë vonesë do të ndodhë një ditë dhe në Shqipëri. Interesante është të vësh në dukje, apo në spikamë se për ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008, që u jep të drejtën prej monarku kryetarëve të partive të mëdha për të formuluar listat e kandidatëve për deputetë, duke shkatërruar përfundimisht karakterin juridik të votimit të lirë dhe të fshehtë, nuk kontestohet në krizën e sotme dhe as nuk përmendet si një kërkesë ndoshta absolute e opozitës ndaj pozitës, për të rikthyer ligjshmërinë kushtetuese të zgjedhjeve të vërteta të lira duke i hapur kështu rrugën për të mirën e Shqipërisë të krijimit të partive të reja dhe të politikanëve të rinj. Tashmë është provuar se dështimi i estabilishmentit aktual politik, të 28 vjetëve, lidhet dhe me Vettingun i cili nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të ndikojë në pastrimin e politikës dhe në krijimin e një kuptimshmwrie të re të një klase më të ndërgjegjshme politike. Unë nuk e di se si do të ndodhë një gjë e tillë, por e di se ky është një katharsis i historisë.
-Si mund të zgjidhet kriza?
-Pa qenë profet dhe pa përdorur frazat sibiline them se edhe kjo krizë, me shumë vështirësi mundet që të kapërcehet vetëm nga stimulimi dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar.
Por në vetvete asnjë krizë nuk kapërcen kronologjitë e saj.
Asnjë krizë nuk mund të formësojë në mënyrë të re një përmbajtje të vjetër.
Asnjë krizë nuk mund të arrijë rezultate pozitive nëse nuk zhduket origjina e saj e negativitetit shoqëror.
-Edhe këtë herë sidoqoftë do kemi një “marrëveshje” të re mes të panďeshkuarve dhe të korruptuarve të radhës?
-Duhet të ketë një marrëveshje. Nuk besoj mund të arrihet midis qeverisë dhe opozitës. Do të jenë të tretët, pra ndërkombëtarët që mund të bëjnë të mundur një marrëveshje të tillë. Por nuk duhen absolitizuar dhe marrëveshjet. Shpesh marrëveshjet janë të brishta por dhe konvencionale. Shqipërisë i duhet tjetër gjë. Shqipërisë i duhen politikanë vizionarë që të bëjnë diçka progresive dhe zhvillimore për Shqipërinë.
Fatalistët e mohojnë një mundësi të tillë.
Unë kam dëshirë ta besoj një mundësi të tillë. Fatalistët kërkojnë një spastrim me anë të konfliktit social, qoftë të quajtur “revolucion” qoftë “kundër revolucion” . Frymëzues i një retorike të tillë absurde dhe të dënueshme historikisht është siç e dinë të gjithë, Sali Berisha. Është e pabesueshme të mendosh se si ky personazh kontravers dhe anti-historik nga të gjitha pikëpamjet ka ndikuar dhe ka lënë gjurmët e tij të errëta dhe ambikuide, të vrazhdëta dhe agresive në të gjitha proceset historike të këtyre 28 vjetëve. Teza “e konfliktit civil” nuk është e njëjtë aspak me tezën “e mosbindjes civile”.
Konflikti civil do të thotë përsëri in extremis për të përmbysur çdo gjë me dhunë të paskajshme dhe anti-ligjore. Unë mendoj se forma më adekuade e çdo fitimtari politik bëhet me zgjedhjet parlamentare. Kapërcimi i krizës do të jetë në prag të zgjedhjeve vendore të cilat sipas mendimit tim i fiton PS. Ndoshta do të ishte në formën e një qetësimi të situatës marrëveshja për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por pas fitores së zgjedhjeve vendore vështirë se Rama do të pranojë zgjedhje trë parakohshme parlamentare. Megjithatë politika jo gjithmonë është e parashikueshme. Pasiguria e politikës ka të bëjë dhe me elementët e saj të ndryshueshëm dhe oponionet ethemere si dhe të rritjes së valencave të asaj që duhet nga politikologët “irracionaliteti i procesit politik”.
Do të uroja që qeveria Rama ta shihte këtë “betejë” me opozitën me urtësi të jashtëzakonshme duke afruar një marrëveshje, që të jetë e pranueshme dhe mundshme edhe nga opozita. Nëse nuk arrihet një gjë e tillë jam i sigurtë se estabilishmenti aktual politik do të shkojë drejt një rrënimi dhe këtë rrënim do ta përjetojnë në mënyrë të pashmangshme që të tëra partitë politike në Shqipëri.
-Ka një dallim mes opozitës dhe liderëve të saj të inkriminuar?
-Asnjë vend demokratik nuk mund të quhet i tillë pa opozitën. E përsëris me forcë se opozita është një subjekt kushtetues. Ligjshmëria e saj është e pa anashkalueshme. Opozita është një domosdoshmëri jetike. Duhet të mësohemi që ta konsiderojmë komplementare opozitën dhe jo ta urrejmë. Protagonistët që kanë bërë këto mëkate por dhe krime në PD le të përgjigjen përpara historisë dhe gjykatave. Kurse shqiptarët që e përfaqësojnë si elektorat dhe si popull opozitën janë shqiptarët tanë, janë vëllezërit tanë. Kjo nuk duhet harruar asnjëherë.- Dita