Sot, Moldavia do të presë samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbledhë të gjithë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian dhe të kontinentit evropian. Përveç liderëve evropianë, ishin të ftuar edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian dhe Presidenti i Parlamentit Evropian.
Udhëheqësit e Komunitetit Politik Evropian – të gjitha shtetet evropiane me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë – po takohen në Moldavi për të diskutuar strategjinë mbi konfliktin në Ukrainën fqinje.
Komuniteti Politik Evropian, një forum diplomatik joformal, i krijuar në vitin 2022, me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron, synon të promovojë dialogun dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.
Samiti i parë u mbajt në tetor të vitit të kaluar, në Pragë.
Tri temat kryesore të samitit të këtij viti janë përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë, qëndrueshmërinë e energjisë dhe veprimin klimatik dhe ndërlidhjet në Evropë për një kontinent më të lidhur dhe më të qëndrueshëm.
Në samit nuk do të diskutohet për proceset e anëtarësimit të vendeve kandidate për në Bashkimin Evropian, u bë e ditur para ngjarjes nga Pallati Elysee.
Ky është samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian i organizuar nga një vend jo anëtar i BE-së dhe do të jetë ngjarja më e madhe politike e mbajtur ndonjëherë në Moldavi.
Samiti do të mbahet në Kështjellën Mimi në Bulboaki, rreth 35 kilometra nga Kishinau dhe rreth 20 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Në oborrin e kalasë u ngrit një qendër mediatike dhe sipas organizatorëve, më shumë se 600 ekipe mediatike nga e gjithë bota ishin të akredituara për këtë aktivitet.
Qeveria në Kishinau i trembet një agresioni rus, në rast të dështimit të Ukrainës. Një pjesë proruse e vendit, Transnistria është shkëputur ndërkohë para 30 vjetësh, duke shpallur pavarësinë nga Moldavia dhe mbahet e pushtuar nga “trupat ruse të paqes”: Megjithë këtë konflikt “të ngrirë” BE ka shprehur gatishmërinë për pranimin e Moldavisë dhe Ukrainës një ditë në BE.
Pikërish për këto çështje debatohet në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, zgjerimi i BE dhe bashkëpunimi i fuqizuar me të gjitha shtetet e tjera, veç Rusisë dhe Bjellorusisë së lidhur me të.
Samiti i Moldavisë vjen gjithashtu pasi ministrat e NATO-s, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, u takuan për të diskutuar axhendën e samitit të ardhshëm të aleancës.
Samiti i NATO-s në Vilnius më 11 korrik do të debatojë se sa formal është një premtim për t’i dhënë Kievit se si dhe kur të bashkohet me aleancën, por në të përkohshme Evropa është e prirur të tregojë mbështetje.
Macron pranoi se forcat e Ukrainës që luftojnë pushtuesit rusë në lindje dhe jug të vendit të tyre po “mbrojtin Evropën”.
Dhe ai tha se aleatët duhet të gjejnë një mënyrë për të ofruar “garanci të prekshme dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën”, ndërkohë që çështjet eventuale të anëtarësimit në BE dhe NATO janë në pritje.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, vendi i të cilit u largua nga Bashkimi Evropian, por mbetet në NATO, tha se “përçmimi i plotë i Putinit ndaj sovranitetit të vendeve të tjera” tregoi nevojën për unitet.
“Ne nuk mund t’i trajtojmë këto probleme pa qeveritë dhe institucionet e Evropës që punojnë ngushtë së bashku,” tha ai.
Anëtari i NATO-s, Presidenti i sapozgjedhur i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, po përgatit inaugurimin e tij zyrtar në shtëpi dhe nuk pritet në takim, thanë diplomatët.
Me 47 krerë shtetesh dhe qeverish të ftuar, nuk është lënë shumë kohë për një diskutim të përgjithshëm në grup, por diplomatët shpresojnë se takimet anësore do të trajtojnë çështje praktike.
Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do të mbledhin një takim mes kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Jerevani dhe Baku kanë luftuar për dekada për territorin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut, por që të dy janë ftuar në EPC ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli bëjnë presion për një marrëveshje paqeje.
Një tjetër konflikt i gjatë evropian, ngecja midis Serbisë dhe Kosovës, do të jetë në axhendë, me liderët nga Prishtina dhe Beogradi nën presion për të ulur tensionet.
Sipas mediave në Kishinau do të diskutohen edhe tensionet në veri të Kosovës. Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurse kancelari Scholz dhe presidenti Macron pritet të zhvillojnë bisedime me krerët e Kosovës dhe Serbisë në Kishinau.
Pas samitit themelues në Pragë në tetorin e kaluar, vendet anëtare u shprehën se formati i ri politik është i vlefshëm. Kancelari gjerman, Olaf Scholz e quajti atë “inovacion” dhe lëvdoi në maj në takimin e Këshillit të Europësnë Island, KPE si një forum i arrirë, pasi aty mund të diskutohet pa presion që të merren vendime zyrtare. Presidenti francez, Emmanuel Macron që e solli në jetë një format të tillë, bëri fjalë në Pragë madje për një instrument që pengon “luftërat qytetare, sëmundjet fëminore të një Europe të bashkuar.”
Samiti i radhës do të mbahet në tetor në qytetin spanjoll të Granadës, ndërsa mikpritës i takimit të katërt do të jetë Britania e Madhe.
/Argumentum.al