Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot moment historik dakordësimin mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se “paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe e bashkëpunimit”.
“Mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë nxis fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare e vendosur dhe një shembull për t’u ndjekur.
“Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën”, shtoi ai.
“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë”, shtoi ai.