Alban Daci
Situata gjeopolitike në Evropë, Azi dhe në botë është krejt ndryshe me atë të fillim viteve ’90! Krejt ndryshe paraqitet kjo situatë edhe për Shqipërinë, duke pasur parasysh, se ajo nuk është më vendi i sapo dalë nga izolimi, por është një vend që me të metat dhe sukseset e saj, në këto 30 vite, ka bërë hapa të rëndësishme në zhvillimet rajonale, në raport me integrimin e saj në BE e po ashtu edhe me SHBA, duke pasur, tashmë, një histori 30-vjeçare të marrëdhënieve me intensitet të lartë!
Shqipëria, në arenën ndërkombëtare, ka bërë disa hapa të rëndësishëm e historike, siç është anëtarësimi në NATO, Asocim-Stabilizimi e më në fund anëtarësimi, si dhe dhënia e vendit anëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB! Suksesi i fundit nuk lidhet, sigurisht, vetëm me qeverinë e fundit, apo me liderin aktual të mazhorancës!
Pra, nëse bëjmë pyetje se ky sukses është vetëm falë kryeministrit aktual? Përgjigja është: sigurisht, se jo!
Situata gjeopolitike në rajon në Ballkan ka ndryshuar shumë, sidomos edhe me rastin e Kosovës, duke e rritur shumë rolin e shqiptarëve në Ballkan që, në fakt, është një rol i merituar për shkaqe historike e për shkak të shtrirjes që ato kanë, sidomos në Ballkanin Perëndimor!
Po ashtu, me rastin e Krimesë, krizës mes Ukrainës dhe Rusisë, rritjes së rolit të Turqisë në rajon, duke u afirmuar si fuqi, ka bërë që Shqipëria të jetë më shumë se kurrë në qendër të vëmendjes së politikave amerikane e kjo duket qartë edhe me bazën ajrore të Kuçovës, tashmë, e vendosur në dispozicion të NATO!
Këto rrethana po i japin kryeministrit Rama mundësinë e artë për protagonizëm. Të rëndësishëm në rajon e thuajse edhe për rol të privilegjuar në raport me SHBA! Në fakt, roli i privilegjuar vjen edhe për faktin e koherencës së tij të vazhdueshme përballë SHBA-ve!
Kjo periudhë e artë e Shqipërisë, për arsye gjeopolitike përballë SHBA, për fatin e keq të PD, po ndodh kur ajo nuk është në qeverisje, por edhe pas një beteje të saj të ngjashme si pasojë e “Non Gratave”, për t’u shkëputur nga e kaluara! Megjithatë, tashmë, PD është e vendosur në rrugën e saj dhe ka rigjetur orientimin natyral kundrejt SHBA-ve! Në këto momente kaq delikate dhe historike, është fatkeqësi e madhe për vendin tonë që, për fat të keq, ka korente politike që për arsye personale duan të vendosen kundër DASH dhe partneritet strategjik me SHBA!
Kjo kundërvënie, përveç se është marri politike, për fat të mirë, nuk përfaqëson shumicën e shqiptarëve e as vullnetin e tyre!
Rrethanat janë që Shqipëria të bëj hapa të tjerë të rëndësishëm në nivel rajonal e ndërkombëtar dhe roli i PD duhet të jetë ai historik, por edhe politik, duke qenë forca më e madhe opozitare dhe e vetmja përfaqësuese e të djathtës!
Basha ka eksperiencën e rëndësishme për të bërë rolin që i takon që Shqipëria të ketë prestigjin ndërkombëtar që i takon dhe meriton!