SHBA inkurajon Kosovën e Serbinë të vazhdojnë moratoriumin dhe të ndërtojnë besimin politik dhe thekson nevojën e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
Ka skaduar të dielën (05.09) moratoriumi njëvjeҫar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në prani të ish-presidentit Donald Tramp, ku Serbia u zotua se do ta ndalë fushatën në kërkim të ҫnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa, kjo e fundit do të ndalte përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. E gjithë kjo ishte një përpjekje e Uashingtonit zyrtar në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përpjekje kjo që po vazhdon edhe sot. Pas skadimit të këtij moratoriumi, Departamenti Amerikan i shtetit inkurajoi në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Kosovën dhe Serbinë “që të vazhdojnë moratoriumin”.
“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që të mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Dokumenti gjashtëmbëdhjetë pikësh në dy versione, një për palën kosovare dhe një për atë serbe, u nënshkrua më 04.09.2020, një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Departamenti amerikan i shtetit shpreson për bashkëpunim me Kosovën dhe Serbinë, “në përmbushjen e detyrimeve të tyre, duke mbështetur, qëllimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”.
“Shpresojmë që partnerët tanë të respektojnë detyrimet që ata pranuan vitin e kaluar në Uashington në mirëbesim. Elemente të shumta të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit, diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur “, thuhet në deklaratën e DASH-it. Më tej u kërkohet të dyja vendeve “pjesëmarrje serioze dhe thelbësore në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, duke inkurajuar Kosovën dhe Serbinë “që të shënojnë bashkëpunim në fushat e interesit të përbashkët, siç është rimëkëmbja nga pandemia dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare”.
Kosova dhe Serbia nuk e komentojnë fundin e moratoriumit
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e fokusuar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe përparim të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e DASH-it.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë nga ana e tyre nuk kanë dhënë ndonjë koment për këtë deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me moratoriumin. Por më herët nga ministria e Jashtme e Kosovës u tha se Kosova po bën përgatitje për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare pa u dhanë detaje, ndërsa, Serbia nga ana e saj, është e gatshme të nisë fushatën e ҫnjohjeve për Kosovën. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq gjatë një forumi në Bled të Sllovenisë javën e shkuar tha se ai ka informacione se “Prishtina zyrtare do të fillojë me kërkesa të reja për pranim në organizata ndërkombëtare, nisur nga INTERPOL-i, UNESCO-ja dhe Këshilli i Evropës”. Kjo nismë e Kosovës sipas presidentit të Serbisë Vuҫiq “shkel zbatimin e marrëveshjen e Uashingtonit dhe do të sjellë paqëndrueshmëri shtesë në rajon. Puna jonë është të përgatitemi dhe t’i përgjigjemi kësaj”, tha Vuçiçi.
Kosova dhe Serbia po zhvillojnë që nga viti 2011 bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shefi i tashëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale. Kosova dhe Serbia po përgatiten edhe për një takim të mundshëm të nivelit të lartë gjatë muajit shtator ndërmjet dy udhëheqësve kryesorë politikë të të dyja vendeve, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç. Kjo u bë e ditur nga vetë krerët e të dyja vendeve, gjatë forumit strategjik të Bledit në Slloveni, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian./Dw