Ministria e Jashtme ruse tha se raporti i këshilltarit të posaçëm Robert Mueller ka “pranuar se nuk kishte prova” për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
“Nuk kishte asgjë në raport për të tërhequr vëmendjen, në fakt raporti konfirmon mungesën e ndonjë argumenti që dëshmon ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane”, tha Georgy Borisenko, zyrtar në Ministrinë e Jashtme të Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, më 19 prill, gjithashtu hodhi poshtë provat në raportin e Muellerit, duke thënë se Kremlini nuk pranon akuzat për ndërhyrje.
“Raporti në tërësi nuk paraqet ndonjë provë të arsyeshme që Rusia ndërhyri në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara”, u tha Peskov gazetarëve në Moskë një ditë pas publikimit të një versioni të redaktuar të dokumentit.
“Na vjen keq që dokumentet e këtij lloji po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-amerikane, të cilat edhe ashtu lënë shumë për të dëshiruar”, tha Peskov.
Sipas raportit Mueller, Trump nuk ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.