Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kërkuar vazhdim të kujdesit në luftën kundër koronavirusit. Ai ka thënë se mosrespektimi i këtyre masave rrezikon hapjen e ekonomisë në Kosovë. Kurse, Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka thënë se Kosovës i duhen rreth 800 milionë euro për ta stabilizuar tregun në vend. Nderkaq, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë nuk ka sektor ekonomik që s’është goditur nga pandemia.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kërkuar që të respektohen masat mbrojtëse kundër koronavirusit.
Ai ka thënë se mosrespektimi i këtyre masave rrezikon hapjen e ekonomisë në Kosovë dhe progresin në fushën e shëndetit publik.
“Të rritet kujdesi dhe të respektohen masat mbrojtëse dhe parandaluese. Këto janë ditë vendimtare dhe testi kryesor për kalimin në fazat tjera të hapjes të ekonomisë. Respektimi i masave mbrojtëse, veçanërisht distanca sociale, mbajtja e maskave dhe dorezave, është e domosdoshme dhe jetike. Këto ditë kemi një eufori dhe tendencë që të anashkalohet respektimi i masave dhe orari i lëvizjes. Kjo rrezikon tërë progresin dhe mundësitë e hapjes te ekonomisë, ashtu siç është paraparë në planin e publikuar”.
Rukiqi ka thënë se këto ditë duhet të kemi më shumë kujdes.
“Na duhet pak më shumë kujdes, që të mos rrezikojmë progresin në pjesën e shëndetit publik, e veçanërisht komplet sektorin privat”, ka shkruar Rukiqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se, për dallim nga vendet e tjera evropiane dhe botërore që po luftojnë luftimin e pandemisë së koronavirusit, Kosova është duke bërë luftë në tre drejtime.
Gërxhaliu ka theksuar se mbyllja e bizneseve ka qenë hap agresiv që do ta dëmtojë vendin.
“Hapja graduale duhet të jetë evidente. Nesër një vend kur nuk ka sundim të rendit dhe ligjit do të ketë burokraci dhe korrupsion dhe dhënia e frymëmarrjes së bizneseve duhet të jetë prioritet. Është koha që dora e zgjatur e shtetit të jetë në funksion të ekonomisë. Koha kur do të përfundojë pandemia është relevante dhe për këtë duhen analiza. Duhet kuptuar se duhet fokusuar në sektorë bazikë, si në sektorin e ndërtimtarisë. Turizmi: janë 500 kompani dhe 200 autobusë që presin për riaktivizim. Sektori i gastronomisë është në ngufatje e sipër. 150 mijë vetura të paregjistruara. Nuk ka sektor ekonomik që nuk është goditur nga pandemia. Duhet plan emergjent për sanim të pasojave. Është koha kur duhet të gjenden forma të ndryshme dhe të mbështetet sektori privat. Bota nuk do të jetë ajo që ka qenë, ekonomia nuk do të jetë ajo që ka qenë”.
Kurse, Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka propozuar një pako financiare për tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga izolimi për shkak të pandemisë COVID-19.
Abrashi ka thënë se të gjitha parashikimet tregojnë se pasojat ekonomike do të jenë të rënda kudo në botë, prandaj sipas tij duhet të veprohet sa më parë.
Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se Kosovës i duhen rreth 800 milionë euro për ta stabilizuar tregun në vend.
“Teoritë e ndryshme të shpërfaqura në media për kthimin e fuqishëm të virusit në vjeshtë, projeksionet e ndryshme për rënien ekonomike që do të pësojmë dhe reagimi i vonuar dhe i pamjaftueshëm me pakon emergjente ka ngritur ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët. Kjo do të reflektohet në sjelljen e tyre si konsumator, në hezitimin e tyre për të shpenzuar, investuar, e që edhe më shumë do ta rëndoj situatën ekonomike duke zvogëluar kërkesën agregate, qarkullimin e parasë, falimentimin e bizneseve dhe shtimin e numrit te papunëve në vend”.
E ashpërsim masash priten të ketë në Kosovë në rast se nuk respektohen thirrjet për respektim të lëvizjeve.