Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket përhapjes së pandemisë globale të COVID-19. Sipas saj në 24 orët e fundit janë testuar 474 raste të dyshuara, prej të cilave 123 kanë rezultuar pozitivë.
Doktoreshë Flutura Beqo tha përmes një deklarate për shtyp se 5 qytetarë kanë humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë në 166. Situata epidemiologjike vijon të paraqitet me rritje të numrit të të prekurve nga Covid 19 dhe me shtrime të reja në të dyja spitalet.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer 42183 testime molekulare dhe serologjike, ndërkohë vijon gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik nga strukturat e epidemiologjisë në të gjithë territorin.
Listës së të shëruarve gjatë orëve të fundit i janë shtuar 57 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3018. Sipas Task-Forcës, në të gjithë vendin numërohen 2335 raste aktive em Covid-19, të cilët po ndiqen rregullisht nga mjekët e familjes.
Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 120 pacientë, 18 janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve janë të intubuar. Pacientët që kanë humbur jetën janë tre nga Tirana dhe dy nga Shkodra.