Nga Marinko Çullafiq
Kryetar i Shoqatës së Komunitetit të Malit të Zi në Shqipëri
Termi “multikulturalizëm” u shfaq në vitet 1960 dhe 1970 në vendet si Kanada dhe Australi, në një masë më të vogël në Britani dhe Shtetet e Bashkuara (Canatan, 2009; Yanık, 2013). Në fillim të viteve ’80 filloi një debat serioz dhe brenda një periudhe të shkurtër, multikulturalizmi u bë një nga lëvizjet intelektuale dhe politike më të përhapura në Perëndim. Të gjitha shtetet ku jetojnë minoritete etnike dhe kulturore përballen me këtë çështje, pavarësisht nëse e kanë në agjendën e tyre zyrtare. Shumica e studiuesve të multikulturalizmit e konsiderojnë këtë teori jokonfliktuale. Për shembull, Kristina Inglis thotë se multikulturalizmi është “përgjigje e politikës demokratike nda ndryshimeve kulturore dhe shoqërore”.
Në një kuptim përshkrues, multikulturalizmi i referohet të gjitha shoqërive që përbëhen nga disa grupe etnike, kulturore ose fetare. Në këtë kontekst, multikulturalizmi përfaqëson thjesht një fakt demografik dhe aspak politik.
Nga ana tjetër, multikulturalizmi në kontekstin normativ është një ideologji apo qëndrim politik që promovon konceptin e një shoqërie multikulturore. E vërteta është se, në aspektin ideologjik, multikulturalizmi është një nga problemet më të rëndësishme të shoqërisë evropiane në fillim të shekullit të 21-të. Kjo ideologji në Bashkimin Evropian është në kundërshtim me sistemin amerikan në lidhje me emigrantët, që njihet ndryshe si “Meltingofcultures” ose e përkthyer në shqip si “Tenxhere e shkrirjes së kulturave”, e cila nënkupton asimilimin e plotë të emigrantëve në shoqërinë amerikane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një shtet tipik shumëkombësh, që do të thotë se kemi të bëjmë me bashkëjetesën e shumë kombeve në të njëjtin territor, por që bashkëndajnë një kulturë dhe gjuhë të përbashkët etj. Ndryshe nga kjo politikë amerikane, në Bashkimin Evropian, multikulturalizmi mbron ruajtjen e veçorive etnike, kulturore dhe fetare të pakicave brenda një shoqërie. Për sa kohë që siguria dhe paqja të vazhdojë në Bashkimin Evropian, kjo ideologji do të luajë rolin e vet krahas ideologjisë gjinore, homoseksualitetit, feminizmit dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, natyra e multikulturalizmit ndryshon nga vendi në vend dhe nga një shoqëri në tjetrën. Në pjesën më të madhe të vendeve perëndimore ekziston një grup etnik dhe kulturor që formon një shumicë të qartë të popullsisë. Shembull tipik në Evropë janë grekët në Greqi dhe ka stilianët në Spanjë. Në këto shtete gjuha e grupit dominues është e vetmja gjuhë zyrtare e njohur me ligj. Në periudha të ndryshme historike, sidomos në kohë krizash ekonomike apo sociale, pothuajse të gjitha shtetet evropiane janë përpjekur ta përcaktojnë veten si shtete mono-etnike. I vetmi shtet që nuk është përpjekur kurrë për të ndërtuar me ligj një gjuhë kombëtare për të gjithë terrorin e saj është Zvicra. Në këtë shtet, pakicat kombëtare që flasin frëngjisht dhe italisht ekzistojnë si grupe et-niko-kulturore të veçanta pa asnjë kufizim. Zvicra është shembulli më i mirë i solidaritetit qytetar që është i domosdoshëm edhe për mirëqenien ekonomike. Por, në Evropë ekzistojnë edhe mjaft ideologji raciste, ku mbizotëron ideja se një shtet mono-etnik është më i lehtë për t’u menaxhuar dhe tregu i punës do të jetë më efikas. Sipas këtyre ideologëve, gjuhët dhe kulturat e minoriteteve janë të prapambetura dhe inferiore, prandaj nuk duhen respektuar dhe mbrojtur me ligj. Parimet mbi të cilat funksionon një shtet multikulturor, janë të shumta. Parimi kryesor është ndjenja e politikave që tregojnë se ai shtet i përket në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve të tij. Një shtet multikulturor përjashton në mënyrë absolute ndjekjen e politikave diskriminuese që çojnë drejt asimilimit ose përjashtimit të pakicave kombëtare, që do të thotë që para institucioneve shtetërore të gjithë kanë qasje dhe të drejta të barabarta pa e fshehur apo mohuar origjinën e tyre etnike. Dhe ajo që është mjaft e rëndësishme, një shtet i tillë demokratik duhet të pranojë padrejtësitë historike që ka bërë në të kaluarën kundër pakicave kombëtare nëpërmjet politikave diskriminuese dhe asimiluese.
Multikulturalizmi merr forma të ndryshme në kohë dhe vende të ndryshme. Historia ka treguar se, në mjaft vende demokratike, nga grupe etnike të ndryshme janë mbështetur politika diskriminuese ndaj grupeve më të vogla etnike. Një shembull tipik është komuniteti frankofon në Quebec të Kanadasë që, ndërsa janë strikt në ruajtjen e kulturës dhe traditave të tyre, nuk mbështetin të njëjta kërkesa të ngjashme të popullsisë indiane apo emigrantëve që jetojnë në zonën e tyre. Edhe në rajonin e Ballkanit ka një larmishmëri grupesh etnike dhe kulturore. Por, mbas Luftës së II-të Botërore, në mjaft shtete të këtij rajoni janë kultivuar praktika intolerante dhe shpeshherë diskriminuese ndaj grupeve të caktuara etnike apo kulturore.
Nën regjimet diktatoriale komuniste, për një periudhë të gjatë kohe, pati përpjekje të vazhdueshme për t’i lënë në hije pakicat kombëtare, pse jo edhe për t’i asimiluar dalëngadalë, duke i ndaluar të flasin gjuhën e tyre, të promovojnë kulturën e tyre apo duke i detyruar të ndërrojnë emrat dhe kombësinë e tyre.
Po ju sjell si shembull pakicën kombëtare malazeze në Shqipëri, meqenëse edhe vetë jam anëtar i kësaj pakice. Ky minoritet banon kryesisht në zonën e Shkodrës dhe fshatrat përgjatë vijës ku-fitare me Malin e Zi. Gjatë 45 viteve të regjimit komunist u bë një përpjekje e vazhdueshme për zvogëlimin e numrit real të qytetarëve shqiptarë me origjinë malazeze, qoftë nëpërmjet presioneve të ndryshme, moslejimit të shkollave në gjuhën malazeze, ndalimit të aktiviteteve kulturore për promovimin e veshjeve, këngëve apo traditave malazeze etj. Kulmi arriti në shtator të vitit 1975, kur Haxhi Lleshi, kryetari i presidiumit të Kuvendit Popullor, firmosi dekretin mbi ndryshimin e emrave të papërshtatshëm. Sipas këtij dekreti, të gjithë fëmijët që lindin në territorin e Shqipërisë duhet të kishin emra që i përshtateshin identitetit dhe kulturës shqiptare. Pra, nuk lejoheshin emrat e huaj. Në çdo zyrë të gjendjes civile në atë periudhë kishte një libër me emra të përshtatshëm sipas tyre dhe midis atyre emrave duhet të zgjidhje emrin e fëmijës tënd. Gjatë atyre viteve pati dhe një tendencë të vazhdueshme për ndryshimin e mbiemrave sllavë me mbiemra shqiptarë. Gjithashtu, nga minoriteti malazez në Shqipëri kanë dalë historikisht figura të shquara që kanë lënë gjurmë nëfushën e kulturës, kritikës letrare dhe letërsisë shqiptare, por që asgjëkundi nuk përmendet origjina e tyre malazeze.
E gjithë kjo politikë jotolerante dhe diskriminuese afatgjatë ka sjellë “tkurrjen” në numër të këtij minoriteti. Sigurisht, me ardhjen e demokracisë, gjërat kanë ndryshuar, por tashmë dëmi është bërë.
Gjithashtu, dua të përmend këtu edhe censusin e vitit 2011, i cili ishte mjaft problematik në lidhje me regjistrimin e numrit real të qytetarëve shqiptarë me origjinë malazeze. Sipas këtij regjistrimi, në Republikën e Shqipërisë jetojnë vetëm 366 malazezë, një shifër kjo shumë larg realitetit. Ndërkohë që në formularin e censusit ekzistonte pyetja opsionale mbi origjinën etnike të qytetarit, qeveria paralelisht nxorri vendimin për aplikimin e gjobave për të gjitha përgjigjet e pasakta mbi origjinën etnike, të cilat nuk përputheshin me të dhënat në regjistrat e gjendjes civile. Kjo procedurë është konsideruar si presion mbi zgjedhjen e lirë të çdo personi për përkatësinë e tij etnike. Edhe pse një minoritet që ka jetuar gjithmonë në territorin e Shqipërisë, pakica kombëtare malazeze është njohur si minoritet më vete me ligj vetëm para 3 vitesh. Në 2017-n parlamenti shqiptar aprovoi ligjin e ri për të drejtat e pakicave kombëtare. Sipas këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, malazeze, bullgare, serbe, arumune, rome, egjiptiane dhe boshnjake.
Fatkeqësisht, ky ligj vazhdon ende dhe pas tri vitesh të mbesë në letër. Është i pashpjegueshëm dhe i patolerueshëm krijimi i Komitetit të ri për Pakicat kombëtare, një institucion qendror në varësi të kryeministrit, që ka si qëllim sigurimin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe të interesave të pakicave kombëtare. (Neni 18 i ligjit Nr. 96/ 2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë “– Komiteti për Pakicat Kombëtare). Një vonesë kaq e gjatë të bën të kuptosh që i gjithë procesi është parë vetëm si një detyrim që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Por, politikanët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se, vetëm respektimi I plotë i të drejtave të minoriteteve dhe vënia në zbatim e ligjit për mbrojtjen e këtyre të drejtave do ta transformojë shoqërinë shqiptare në një shoqëri moderne e demokratike dhe Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian.
Aspekt i multikulturalizmit është edhe ruajtja dhe promovimi i diversitetit kulturor, që janë pjesë e pandarë e parimeve themelore të Bashkimit Evropian. Mbrojtja e trashëgimisë sonë të përbashkët dhe promovimi i diversitetit kulturor janë po ashtu mjaft të rëndësishme për afrimin e komuniteteve dhe për zhvillimin e dialogut mes kulturave të ndryshme. Kjo ilustrohet më së miri nga dokumentet zyrtare të Këshillit të Evropës dhe organizmave të tjera brenda BE-së, në të cilat diversiteti kulturor në vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, promovohet si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, integrimin dhe paqen. Në kapitullin negociues mbi të drejtat themelore të njeriut vihet theksi mbi respektin e diversitetit kulturor, gjuhësor, fetar, të drejtat e pakicave kombëtare, si edhe masat që duhen marrë për t’u përballur me ksenofobinë dhe racizmin.
Por, sistemi i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e pakicave kombëtare ka edhe dobësitë e veta.
Rezoluta e Parlamentit Evropian mbi Standardet Minimale për Minoritet në BE, e miratuar në nëntor të vitit 2018, zbuloi situatën problematike në fushën e mbrojtjes së minoriteteve. Në këtë rezolutë vihet në dukje se: Sistemi i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e pakicave nuk u garanton pakicave gëzimin e plotë të të drejtave të tyre.
- BE nuk ka mekanizma për të vlerësuar angazhimin e shteteve sa i përket kritereve të Kopenha-
gës pasi ato bëhen shtete anëtare
- BE-së i mungojnë mjetet e posaçme për të monitoruar dhe forcuar mbrojtjen e të drejtave të
pakicave
- BE nuk ka standarde të përbashkëta për mbrojtjen e minoriteteve dhe as për njohjen e statusit
të tyre si minoritet
- BE-ja nuk ka krijuar një institucion në nivel evropian për njohjen dhe mbrojtjen e pakicave
- Jo të gjithë shtetet anëtare të BE-së kanë firmosur Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave
Kombëtare (FCNM) dhe Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare
- BE nuk ka miratuar standarde minimale të përbashkëta për mbrojtjen e minoriteteve
(Burimi: Rezoluta e Parlamentit Evropian mbi Standardet Minimale për Minoritetet në BE)
Mali i Zi dhe Shqipëria janë dy shtete të Ballkanit të pasura me diversitete të aseteve kulturore. Po ashtu, këto dy shtete janë shembull, jo vetëm në Ballkan, por dhe në Evropë për bashkëjetesën dhe tolerancën etnike, fetare dhe kulturore.
Përtej kësaj tolerance dhe mirëkuptimi, si edhe aprovimit të ligjit për të drejtat e minoriteteve,
në këto 30 vite të demokracisë, aktivitetet për promovimin e folklorit, veshjeve popullore, muzikës,
traditave të minoriteteve kanë qenë shumë të rralla dhe kryesisht të organizuara nga minoritetingrek, i cili është dhe minoriteti më i madh në numër në Shqipëri. Shpresoj që të vijë dita që festivaleve folklorike të trevave shqiptare t’u bashkohen edhe grupe folklorike nga minoritetet.
Gjej rastin të theksoj se Shoqata jonë e Komunitetit Malazez në Shqipëri në këto 2 vjet e gjysmë të krijimit të saj ka sjelle një risi në këtë fushë dhe, pothuajse pa asnjë mbështetje, ka organizuar aktivitete mjaft të rëndësishme që promovojnë ngjarje historike dhe figura që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit malazez dhe atij shqiptar. Për arritjen e objektivave të programit tonë jemi të hapur të bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësues legjitimë të minoriteteve të tjera, por edhe me shoqata, fondacione dhe organizata joqeveritare nga Republika e Shqipërisë, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut etj., gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ky bashkëpunim për të zgjidhur çështje me interes të përbashkët, arrihet nëpërmjet kontakteve të vazhdueshme, iniciativave, projekteve dhe formave të tjera të bashkëpunimit. Por, çfarë është më e rëndësishme, qëllimi i këtyre aktiviteteve dhe në tërësi i programit të Komunitetit Malazez në Republikën e Shqipërisë është që, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, të japë një kontribut sado të vogël në marrëdhëniet shumë të mira aktuale dhe ato historike midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Ky artikull është përgatitur në kuadrin e projektit “Edukimi për të Gjithë”, Elbasan
© Argumentum