Kryetari i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi deklaroi se i kanë bërë të qartë kryeministrit Rama se nuk mund të kalojë në Kuvend reformën zgjedhore me vota të trafikuara.
Duke folur për gazetarët pas mbledhjes me Kryeministrin që zgjati gati dy orë, Murrizi foli për tentativa për trafikim votash dhe nga opozita e bashkuar.
“Harroje që mund të kalosh një reformë zgjedhore me vota të trafikuara në parlament. Trafikimi nuk është vetëm aset i kryeministrit Rama por është bërë një aset dhe i partive të tjera pjesëmarrëse në Këshillin Politik që kanë interes për të kaluar këtë reformë. Unë e di që duhen 84 vota. Rama ka tani vetëm 77 mandate. Nuk besoj që të ketë bilbilush që kyçen 3 orë në seli të pallatit të Kongreseve dhe 12 orë në një rezidencë të ambasadës për të gatuar një gjellë që mund ta hamë me lugën dhe pa e kontrolluar se çfarë është. Unë kam hall që të gatuajnë një gjellë të mirë për shqiptarët”.
Gjithashtu ai pranoi se opozita parlamentare do të ketë radikalizim të veprimeve të tyre.
” Do të ketë radikalizim. Ne do të fillojmë në komision të reformës zgjedhore se jemi 7 me 7 të vendosim kushte dhe sanksione në interes të atyre që kërkojnë shqiptarët. Raporti i komisionit të reformës zgjedhore do të vijë në parlament. Nuk do të votojmë nëse nuk futen në atë raport,theksoi Murrizi.
Hapja e listave dhe administratë zgjedhore jo politike, janë dy kushtet e panegociueshme të opozitës parlamentare.
Kryeministri Edi Rama kërkon ndihmën e kreut të opozitës Lulzim Basha për të bindur opozitën parlamentare për votimin e reformës zgjedhore.
“Parlamenti nuk mbyllet nesër dhe nuk mbyllet me këtë votim. Ka edhe një sezon tjetër jetë. Nuk preferoj të zgjedh një rrugë që do të deformojë në mënyrë dramatike gjithë procesin normal të jetës parlamentare. Është takimi i parë, do të duhet durim, punë bindëse. Me rëndësi është se kemi marrëveshje. Ku ka vullnet ka gjithmonë një zgjidhje. Është koha të bëjmë të gjithë një sforco të flasim më shumë me njëri-tjetrin, edhe Lulzim Basha duhet ta konsiderojë të futet dhe ai në këtë proces dhe të bëjë një takim me ata që i ka futur në parlament. Të bashkojmë forcat për të gjetur një zgjidhje që nuk ëhstë absolutisht e lehtë siç duket. Dhe mua do të më duhet të jem mes dy zjarresh, tha Rama per gazetaret.