Me një tension në rritje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, a përbejnë muxhahedinët një arsye rreziku për Shqipërinë? Gjenerali amerikan, Michael Barbero, i pyetur nga A2, nuk përjashtoi mundësinë që vendi ynë të jetë një objekt sulmi nga Irani. Gjate takimit me ish-deputete, ministra e ish-ministra ne Tiranë, ai e konsideroi vrasjen e Qasem Soleimanit me domethënëse se sa ajo e Bin Laden apo Al-Baghdadit.
“Nuk mendoj se MEK përbën kërcënim, por Irani po. Muxhahedinët kanë luftuar për demokraci në vend, çka përbën një kërcënim për regjimin. Qëllimi kryesor i udhëheqësve në Teheran, është mbijetesa e regjimit dhe MEK janë kërcënim për këtë. Unë e admiroj atë që Shqipëria ka bërë për muxhahedinët, duke i sjellë ata këtu e duke vazhduar t’i ofrojë mbrojte”, tha ai.
Gjenerali tha gjithashtu se Shqipëria duhet të jetë vigjilente pas përshkallëzimit të tensionit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Nëse Irani ju konsideron ju një kërcënim mund të ketë ndonjë sulm. Unë do të sugjeroja të ruani vigjilencën dhe të qëndroni të lidhur me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka shumë gjasa për ndonjë sulm këtu, por jetojmë në një botë të rrezikshme”, u shpreh ai.
“Çdo mik i SHBA-së, për fat të keq, konsiderohet si një shënjestër e Iranit. Për këtë, vigjilenca është mjaft e rëndësishme, veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Për këtë arsye Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike”, tha Barbero.