Editorial
Pesë shekuj të ndikimit të otomanizmit në Ballkan, e sidomos në trevat shqiptare, janë një njollë e errët e trashëgimisë së Perandorisë Osmane. Një fakt historik, të cilën Turqia moderne mundohet ta manipuloje në çdo moment, duke përdorur mjetet e saj të propagandës. Për këtë arsye, janë bërë disa tentativa konkrete për të ndryshuar perceptimin e këtij fakti historik, qofshin këto nëpërmjet kurrikulave shkollore apo dhe në diskursin publik. Për hir të interesave aktuale dhe marrëdhënieve të sotme, duket se shumë herë është injoruar ose harruar ajo që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të gjatë historike.
Padiskutim e shkuara nuk mund të jetë pengesë për të tashmen dhe të ardhmen, për sa kohë ajo pranohet si fakt historik, pa u shtrembëruar. Kjo, megjithatë, nuk po ndodh me qasjen e Turqisë ndaj Osmanizmit dhe shqiptarëve në veçanti. Megjithatë, ky është një fakt që kërkon të studiohet me kujdes, sidomos nga akademikët dhe studiuesit në Shqipëri dhe Ballkan.
Ajo që vihet re, është se vitet e fundit ka një ndikim të madh të Turqisë në Ballkan, në formën e një “fuqie të butë,” ku pushtimi 500-vjeçar i Perandorisë Osmane po paraqitet si një periudhë “vëllazërie” mes shqiptarëve dhe turqve.
Një shembull i fundit është muzeu mobil i betejës së Çanakalasë, një nga betejat më të rëndësishme për Turqinë e asaj kohe dhe për Turqinë e sotme, ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Me moton “Ku valon flamuri i kuq, aty është Çanakale”, muzeu ynë mobil, i cili ka udhëtuar në të gjitha cepat e Turqisë, tani po shkon drejt zemrës sonë, Ballkanit”, është njoftimi i muzeut mobil.
Kosova ishte ndalesa e parë në Ballkan për muzeun mobil, me të cilin Turqia po tregon historinë e saj për Betejën e Çanakalasë në kuadër të 110-vjetorit të asaj që njihet edhe si Beteja e Galipolit, midis forcave britanike dhe franceze nga njëra anë dhe ushtrisë osmane, të ndihmuar nga Austro-Hungaria dhe Gjermania, nga ana tjetër.
Pas Kosovës, aktualisht muzeu mobil ndodhet në Shqipëri deri më 28 Mars. Më pas udhëtimin e tij historik do ta vijoje në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut për të përfunduar këtë udhëtim në Bullgari në maj.
Lufta e Çanakalasë, e njohur edhe si Beteja e Dardaneleve, ishte një betejë e rëndësishme që ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, midis vitit 1915 dhe 1916, dhe ishte një moment kyç në përpjekjet e aleatëve për të hapur një front të dytë kundër Perandorisë Osmane. Kjo betejë ndodhi në rajonin e Dardaneleve, një ngushticë që lidh Detin Egje me Detin Marmara dhe ka pasur një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për kontrollin e rrugëve detare të Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Në betejen e Canakalasë mendohet se aty kanë humbur jetën rreth 280 mijë persona, ndër të cilët 25 mijë shqiptarë. Ishte një nga betejat më të mëdha në Luftën e Parë Botërore ku forcat osmane fituan dhe Turqia feston lavdinë e saj.
Mijëra shqiptarë nga treva të ndryshme morën pjesë në betejën e Çanakalasë, dhe shpesh herë Turqia e ka përdorur këtë ngjarje si një trashëgimi të përbashkët vëllazërore.
Roli i shqiptarëve në luftën e Çanakalasë dhe përpjekjet e Turqisë për të manipuluar historiografinë
Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë ka ngjallur pikëpyetje historike ndër dekada.
Turqia është përpjekur të ndryshojë ose të retushoje historiografinë në mënyra që shpesh e paraqesin Perandorinë Osmane në një dritë më pozitive për shqiptarët.
Kjo përpjekje është e lidhur me përpjekjet për të promovuar një identitet turk dhe osman të përbashkët, për të nënvizuar se shqiptarët ishin “vëllezër” që kishin ndihmuar Turqinë në betejat e ndryshme, përfshirë betejen e Çanakalasë.
Kjo strategji është gjithashtu një mënyrë për të pasuruar narrativën e kombit turk dhe për të krijuar një lidhje historike dhe emocionale me popujt e ish-perandorisë, duke theksuar ndihmën që shqiptarët dhanë për mbrojtjen e Perandorisë Osmane, pavarësisht realiteteve të vështira të periudhës osmane për popullin shqiptar.
Sipas Turqisë, edhe pse shqiptarët sapo kishin dalë nga pushtimi osman, ata luftuan për kombin turk. Nuk ka dyshim se mijëra shqiptarë morën pjesë në betejën e Çanakalasë, por është e pabesueshme që ata e bënë këtë me vullnet të plotë. Shumë prej tyre ishin robër, dhe pjesa tjetër u detyruan të merrnin pjesë në atë luftë, për shkak të kushteve dhe presionit të Perandorisë Osmane.
Një nga argumentet kryesore pse shqiptarët, sidomos ata që ishin ende nën ndikimin ose kontrollin e Perandorisë Osmane, mund të ishin të detyruar të merrnin pjesë në Betejën e Çanakalasë ka të bëjë me strukturat hierarkike dhe detyrimet e shërbimit ushtarak që ishin të lidhura ngushtë me statusin dhe pozitën që ata kishin brenda Perandorisë Osmane.
Faktet historike nuk mund të retushohen, pavarësisht interesave të ngushta politike; ato janë pjesë e historisë, dëshmi e një periudhe të caktuar për të cilën nuk mund të fajësohen pasardhësit politikë. Megjithatë, pikërisht këtë histori, ndonëse jo në favor të saj, Turqia e përdor si dëshmi të ndikimit dhe pushtetit të saj në Ballkan. Beteja e Çanakalasë është një dëshmi dhe një e vërtetë historike për Turqinë, por kjo nuk tregon të vërtetën e pjesëmarrjes së mijëra shqiptarëve, të cilët u përdorën si mish për top në atë betejë gjakatare.
Megjithatë, sikundër e theksuam në fillim të këtij artikulli, historianët do të duhej ta kishin zbardhur këtë fakt historik, jo për shkak se shqiptarët morën pjesë në atë betejë dhe luftuan krah Turqisë, por për faktin se Perandoria Osmane ka qenë pushtuese e këtyre trojeve dhe shqiptarët ishin të detyruar të merrnin pjesë në atë kohë. Përpos kësaj, ajo që ka rëndësi të theksojmë është vijimi i agjendës së politikës së jashtme të Turqisë ndaj Ballkanit në përgjithësi dhe trojeve shqiptare në veçanti.
Ndaj muzeu mobil “Luftërat e Çanakalasë” nuk është vetëm një mjet për të na përkujtuar të kaluarën, por edhe një përpjekje për të formësuar të tashmen dhe të ardhmen, duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm për popujt e Ballkanit dhe më gjerë.
Muzeu mobil “Luftërat e Çanakalasë” vjen në trojet shqiptare si dëshmi e ndikimit turk, duke tentuar të shesë një histori të lavdishme sipas narrativës se shqiptarët u hodhën në luftë për të mbrojtur Turqinë. Në fakt, historia ishte ndryshe në atë kohë, e cila e shpjegojmë më lart. Ajo që të bën përshtypje është konteksti historik i kësaj ngjarjeje. Nëse 110 vjet më parë kjo do të shënohej si një nga fitorët më të rëndësishme të Turqisë gjatë Luftës së Parë Botërore, duket se jehona e luftës është rikthyer sërish. Ky muze, në fakt, nuk është për të na treguar të djeshmen, por na paralajmëron për të sotmen dhe të ardhmen. Sot, si kurrë më parë, retorika e Luftës së Tretë Botërore është kthyer në tryezat aspak diplomatike të udhëheqësve botërorë.
Nisur pra dhe nga konteksti gjeopolitik, ku po përballemi me formimin e aleancave të reja, secili po përdor mënyrat e tij për t’u përgatitur për të panjohurat që na sjellin konjukturat gjeopolitike përpara nesh. Prandaj, mund të themi se Turqia po e bën këtë tur ballkanik edhe si një formë propagande që Erdogan përdor për të mbajtur rreth vetes shqiptarët dhe jo vetëm, praktikisht të gjitha vendet ku ky muze mobil do të udhëtojë për të treguar ndikimin dhe influencën e Turqisë në Ballkan, gjithmonë në emër të “historisë”.
© 2025 Argumentum