Fokus
Muzika është “grishja “ diplomatike serbe ndaj krerëve të shteteve të ndryshme që vizitojnë Beogradin.
Pikërisht në darkat me rëndësi ku gërshetohen interesat politike dhe ekonomike, Serbia nxjerr ”asin nën mëngë ” për të zbutur zemrën edhe të atyre liderve me hije të rëndë në dukje por që “thyhen” para shpirtit të zjarrtë ballkanas.
Muzika ky ushqim shpirtëror, që te deh zemrën e mendjen është asi i artë diplomatik që Serbia e hedh herë pas here në tavolinën e interesave gjeostrategjike.
Dikush mund ta quaje një mikpritje tipike ballkanase të cilët shquhen për bujarinë, traditat dhe pasurinë folklorike ku natyrisht edhe serbia është pjesë e rëndësishme e saj.
Megjithatë, ajo që Serbia shpërfaq herë pas here nuk ka të bëjë me traditat më shumë se sa me interesat politiko-ekonomike të saj.
Në rastin konkret vizita e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez në Beograd në kuadër të turit të tij të parë në Ballkanin Perëndimor, ka rizgjuar sërish traditën serbe të të kënduarit ekskluzivisht për të ftuarin special.
Pas takimit zyrtar me Vuçiç, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka deklaruar në konferencë për media bashkë me presidentin serb, se kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, Spanja qëndron në anën e Serbisë.
“Spanja e mbështet Serbinë kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës dhe do të jetë gjithmonë me të në mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial dhe sovranitetit”, ka thënë Sanchez.
Qeveria spanjolle ofron mbështetje të vazhdueshme dhe të vazhdueshme për rrugën evropiane të Serbisë, si dhe për integritetin territorial të vendit tonë, për të cilën Beogradi është mirënjohës, tha mbrëmë presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili mbrëmë priti për darkë kryeministrin spanjoll.
E pra nuk mund të kishte dhuratë më të bukur për Vuçiç se sa kjo deklaratë e liderit të një vendi Europian që ende nuk e njeh Kosovën, ndaj dhe nikoqiri Vuçiç e surprizoi ldierin spanjoll me një këngë spanjolle
Vuçiç ka postuar në profilin e tij në Instagram një foto nga darka e organizuar për nder të kryeministrit spanjoll, ku këngëtarja Jelena Tomašević interpretoi këngën “Oro” në spanjisht.
“Ne kemi përgatitur një surprizë për një mik të dashur. Jelena Tomasević-i ynë i këndoi këngën ‘Oro’ në spanjisht, e cila dha një ton të veçantë për këtë mbrëmje”, ka shkruar Vuçiç dhe e ka falënderuar për performancën e mrekullueshme.
Ndër vite në delegacionet e shteteve me rëndësi, darkat e shtruara nga pala serbe grishen me një këngëtar special që ka një repertor të gjerë.
Kjo jo nga një këngëtar profesionist si në rastin e pritjes së Kryeministrit spanjoll, por nga një “këngëtar” i veçantë me peshë të rëndësishme politike siç ishte rasti i ish-Ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç
Ivica Daçiç, si kryediplomat serb ka kënduar në disa nga darkat zyrtare të shtruara në Beograd.
Kujtojmë rastin e vizitës së Presidentit turk Erdogan ku Daçiç këndoi disa këngë për nder të Presidentit Erdogan dhe delegacionit turk .
Dhe jo këngë serbe apo këngë të tjera të famshme, por Daçiç di të “qëllojë” mu në zemer, ai teksa i afrohet tryezës ku ndodhej Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e suprizoi duke kënduar turqisht këngën “Osman Aga”, një këngë e kënduar në shumë vende ballkanike.
Po ashtu kujtojmë jehonën që mediat greke i kanë bërë lajmit për darkën e shtruar për ministrin e tyre të Jashtëm, Nikos Kotzias gjatë vizitës së tij në Serbi, ku Ivica Daçiç i i ka befasuar të gjithë me një këngë në gjuhën greke.
“Gjatë një dreke shtruar për nder të homologut grek Nikos Kotzias, Ivica Daçiç papritur mori mikrofonin dhe nën tingujt e orkestrës filloi të këndojë rrjedhshëm në greqisht këngën e njohur “Mos m’u zemëro syri im”, të këngëtarit të mirënjohur grek Jorgo Dalaras”,- shkruajnë mediat greke.
Po sipas tyre, në momentet që Daçiç ka nisur të këndojë, edhe ministri grek Nikos Kotzias është ngritur në këmbë dhe së bashku me Ivica Daçiç kënduan këngën në prani të të ftuarve të tjerë.
E në fund të këngës, ai nuk e ka harruar traditën e vjetër greke, duke thyer një pjatë.
Nuk ka të ndaluar Ivica Daçiç, ku tashmë i ndërgjegjësuar për talentin e tij si “bilbil i diplomacisë” serbe nuk mund të mos i këndonte Presidentit rus Vladimir Putin.
Kështu në darkën zyrtare të shtruar për nder të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin ne nje nga vizitat e tij zyrtare ne Beograd ministri serb këndoi të famshmen “Kalinka”, këngën tradicionale të kënduar nga “Ushtria e Kuqe”.
Daçiç ka pritur me këngë edhe kryeministrin Edi Rama kur në 2014-ën shefi i diplomacisë serbe i kishte kënduar “O sole mio”. Ndonëse nuki lejoi vetës të këndonte në shqip, ai i plotësoi kërkesën Z. Rama me një këngë italiane.
Jo me kot ky repertor shumëngjyrësh i Ivica Daçiç është qershia mbi tortë e diplomacisë serbe .
E gjithë kjo mikpritje serbe për delegacionet e ndryshme qeveritare përkthehet në para, investime e interesa gjeostrategjike .
Si në rastin e fundit, ku Presidenti serb Vuçiç në krah te kryeministrit spanjoll theksoi se “Serbia e konsideron Spanjën si një nga miqtë më të mëdhenj në botë.
Ai paraqiti shifra të rëndësishme për ekonominë serbe ku tha se së fundmi është rritur ndjeshëm shkëmbimi tregtar i cili vitin e kaluar ishte 811 milionë euro, ndërsa këtë vit në pesë muajt e parë është rritur për 64.1 për qind”.
“Kompanitë spanjolle kanë treguar interes për të bërë biznes në Serbi dhe ne do t’i hapim dyert gjerësisht për ta,” tha ai.
Vuçiç theksoi se bashkëpunimi i parë pionier në fushën e industrisë ushtarake është krijuar ndërmjet Serbisë dhe Spanjës, duke kujtuar se Serbia ka blerë dy avionë transportues Kaza C295 dhe se do të vazhdojë të blejë pajisje nga Spanja.
“Ne do të hapim dhe përfundojmë hartimin e të gjitha marrëveshjeve të përgjithshme, dhe të gjitha ato të rëndësishme për punët infrastrukturore dhe investimet në energji, në mënyrë që ato të arrijnë rezultatet më të mira të mundshme”, tha ai.
Të gjitha këto marrëveshje bashkëpunimi tregojnë pse kësaj radhe Vuçiç zgjodhi një këngëtare profesioniste për ti lënë përshtypje mikut të tij me rëndësi. Dhe në fakt po… Pedro Sanchez dukej i mrekulluar nga këngëtarja serbe që këndonte aq bukur në gjuhën e tij në gjuhën spanjolle
Ky është çelësi… serbët dinë të flasin me gjuhën e “mysafirëve”
/Argumentum.al