Naftëtarët e Ballshit kanë thyer rrethimin e jashtëm të uzinës së Ballshit, që ruhej nga policë privatë dhe kanë hyrë në ambientet e jashtme të rafinerisë.
Kreu i sindikatës e cilësoi këtë një akt simbolik për të treguar se rafineria është bosh, nuk funksionin asnjë zyrë dhe nuk ka asnjë pronar.
Sipas tij kjo është një tallje e madhe pasi brenda uzinës janë lënë të gjitha pajisjet hapur, çka përbën rrezik potencial për të gjithë qytetin, për shkak të kimikateve që gjenden në këtë uzinë.
“Këtu nuk ka asgjë, policët nuk e mbajnë dot rafinerinë. Këtu ka persona me mbi 40 vjet punë mbi shpatulla. Këtu nuk ka privat, dikush po bën një lojë në kurriz të naftëtarëve. Le të vdesin këta naftëtarë në grevë urie.
Do marrim menaxhimin e terrenit, shteti të vijë të marrë në dorë rafinerinë. Ne presim një përgjigje nga pronari. Nuk është problem të marrim rafinerinë, po të bëjmë një thirrje këtu vijnë 800 naftëtarët.
Po bëhet një grevë për t’i thënë pronarit hajde, kur nuk reagon ministrja e Drejtësisë për një gjyq të fituar nga naftëtarët, çfarë duhet t’u bëjmë azerëve”, tha z. Dautaj.
Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e 17-të grevës së urisë. Pas përplasjes së djeshme me policinë private të Uzinës, ata paralajmëruan përshkallëzim të situatës.
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i shoqatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj paraqiti gjendje të rënduar shëndetësore, kjo për shkak edhe të lagështirës në ambientet ku po mbahet greva.
Pavarësisht grevës, naftëtarët ende nuk kanë pasur një komunikim nga institucionet për zgjidhjen e problematikës së tyre.
Naftëtarët do të tentojnë sërish sot të futen brenda ambienteve të rafinerisë për të treguar se aty brenda nuk ka pronarë dhe se godina mund të jetë rrezik për jetën e banorëve të qytetit për shkak të kimikateve dhe naftës bruto që qëndron e mbyllur prej një viti.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj i tha gazetarit të Euronews Albania se sot naftëtarët nuk do tërhiqen deri sa të futen brenda ambienteve të uzinës.
Naftëtarët e Ballshit prej 17 ditësh ndodhen të ngujuar në grevë urie, ndërsa kërkojnë pagat e prapambetura