Nancy Pelosi u zgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën në mandatin e saj të katërt, me një shumicë më të ngushtë të demokratëve dhe me shumë sfida para vetes.
“Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, është nderi im i madh të kryesoj këtë ritual të shenjtë të rizgjedhjes, ndërsa mblidhemi nën kupolën e këtij tempulli të demokracisë…”, tha zonja Pelosi pas votimit.
Demokratja nga Kalifornia, e cila ka udhëhequr partinë e saj në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2003 dhe është gruaja e vetme kryetare, mori 216 vota.
Demokratët humbën 11 vende në zgjedhjet e nëntorit dhe aktualisht gëzojnë kontrollin e kësaj dhome me shumicë më të ngushtë 222 me 212.
Para betimit të zonjës Pelosi, përfaqësuesi Don Young, një republikan nga Alaska, bëri thirrje për unitet.
“Sinqerisht, , nuk më pëlqen ajo që shoh. Është koha t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit dhe të flasim me njëri-tjetrin”, tha ai ndërsa u prit me duartrokitje.
“Ju do të jeni kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve – jo e partisë,” shtoi ai, duke iu drejtuar zonjës Pelosi.
Zonja Pelosi mirëpriti seancën e re të Kongresit, duke theksuar rëndësinë e rolit të ligjvënësve ndërsa vendi lufton pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar prej saj. Ajo tha se ligjvënësit po marrin përsipër përgjegjësi shumë kërkuese.
“Secili prej komuniteteve tona është prekur në mënyrë drastike nga kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike: 350 mijë vdekje tragjike, secila prej tyre një trishtim që ne mbajmë në zemrat tona; mbi 20 milionë infeksione; miliona pa punë…”, tha ajo.
Zonja Pelosi gjithashtu u bëri nderime në fjalën e saj ligjvënësve Elijah Cummings dhe John Lewis, dy përfaqësues me vite të gjata shërbimi, të cilët vdiqën më 2019 dhe 2020, dhe Ruth Bader Ginsburgut, gjykatëse e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila gjithashtu vdiq në vitin 2020.
Para se të fliste në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjes së zonjës Pelosi, udhëheqësi i pakicës, Kevin McCarthy, shkroi në twitter, se “Kongresi i fundit ishte një dështim. Në fakt, ai ishte Kongresi më pak produktiv në gati 50 vjet. Populli amerikan meriton më mirë”.
“Unë do të doja të mund të thosha se shumica në Kongres është e përkushtuar për ndryshime në të mirën e përbashkët dhe për t’u përqendruar në atë që ka vërtet rëndësi, por unë jam i shqetësuar se veprimet e hershme po flasin për drejtim të gabuar”, tha ai në fjalimin e tij. Zoti McCarthy mori 209 vota në garën për kryetarin e Dhomës kundrejt zonjës Pelosi me 216.
Për herë të parë që nga muaji maj, ligjvënësit duhej të ishin të pranishëm për votim në Kongres, në vend të votimit nga distanca që ishte vendosur për shkak të pandemisë. Votimi zgjati disa orë ndërsa ligjvënësit u sollën në sallë në grupe të vogla për të shmangur mbledhjen e më shumë vetave në një vend.
Kongresi i ri përballet me shumë sfida, mes tyre pandeminë që deri më tani u ka kushtuar me jetë më shumë se 350 mijë amerikanëve dhe me ripërtëritjen e ekonomisë amerikane.
Zonja Pelosi, 80 vjeçare, la të kuptohet se pas kësaj periudhe dyvjeçare nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryetare e Dhomës, në përputhje me një marrëveshje të bërë me demokratët në vitin 2018 të cilët dëshironin që ajo të largohej si kryetare që atëherë./voa