Në pritje të ndërrimit të viteve, liderit politikë shqiptare sipas traditës kanë përcjelle mesazhet e tyre për gjithë shqiptarët!
Duke filluar nga Kryeministri Rama, Presidenti Meta, Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha e deri te ish-kreministri Berisha.
Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2022.
“Të dashur bashkëqytetarë, Motra e vëllezër të një gjuhe e flamuri, kudo ku ndodheni, Dua sot t’ju uroj shëndet, mbarësi dhe sa më shumë ëndrra e shpresa të përmbushura në Vitin e Ri që është pas dere!”, tha Rama në një videomesazh.
“Keni dëgjuar shumë fjalime të gjata nga unë këtë vit, si çdo vit tash sa vjet. Ju kam dalë përpara pa pushim, në ekran, në kompjuter, në telefon, shpresoj të paktën jo edhe në gjumë. Ju kërkoj ndjesë për kohën që ju kam marrë e ju jam shumë mirënjohës për kohën që më keni dhënë. Më keni dëgjuar, duruar, përshëndetur, mbështetur, inkurajuar, lëvduar, kritikuar po edhe sharë në rrjetet e mia sociale, e sinqerisht ju falenderoj sepse vëmendja juaj është vërtetë nder për mua, por mbi të gjitha më keni besuar këtë vit, për katër vjet të tjera drejtimin e vendit tonë dhe shumë sinqerisht nuk e di si mund t’ju falenderoj për këtë”, theksoi Rama.
“Sot do ju le rehat duke mos folur gjatë, po vetëm duke ju kërkuar falje të madhe për çfarëdo qoftë nuk kam thënë apo nuk e kam bërë dot ashtu si duhet e duke ju siguruar se besimin tuaj e ndjej, e kuptoj, e jetoj çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të punës sime si diçka të shenjtë, për të cilën do të bëj gjithnjë gjithçka mundem që ta shpërblej me mish e me shpirt”, u shpreh Rama.
“Unë kam gjithmonë e më shumë besim se ne do ta ngjisim Shqipërinë në majën ku e donin të parët tanë dhe ku e meritojnë fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë, me punë, mund e mbi të gjitha durim të madh, pa u ndalur, pa u lodhur, pa u dorëzuar, duke u përpjekur të nxjerrim vazhdimisht mësime nga gabimet tona dhe të bëjmë vazhdimisht më të mirën e vetes tonë. Sa më shumë të dalim nga llogoret ndarëse e përçarëse të së përditshmes, për të dëgjuar më shumë njëri-tjetrin, për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin nën flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit me sytë nga e ardhmja evropiane e Shqipërisë, për ta ndihmuar sa më shumë njëri-tjetrin, në kapërcimin e vështirësive dhe realizimin e qëllimeve të mira, aq më shpejt do të ngjitemi si vend e si vëllazëri shqiptare në majën e dëshiruar”, u shpreh Rama.
“Ju uroj me gjithë zemër një Vit të Ri me shëndet e mbarësi familjarisht, për të gjithë ju në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, në Itali, në Greqi, në Zvicër, në Angli, në Amerikë, në të gjithë globin! Nuk jemi shumë, por sa shumë jemi kudo e sa shumë mund të bëjmë nëse së bashku ndajmë hallet dhe dimë të përqafohemi për gëzimet. Përqafime të gjithëve!”, përfundoi urimin për Vitin e Ri 2022 drejtuar gjithë shqiptarëve”, kryeministri Edi Rama.
Po ashtu Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri. Në urimin e tij, Meta thekson se të gjithë së bashku duhet të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive për të tejkaluar sfidat që kemi përpara, e ndërsa ka edhe një mesazh, të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit.
“Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni! Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!
Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!
Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit! Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!
Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka. Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian.
Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike. Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!
Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë. Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati”, tha Meta.
Gjithashtu Kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar të gjithë qytetarët për Vitin e Ri.
“Të dashur bashkqytetarë, teksa e ardhmja po troket dhe shohim plot shpresë atë që na pret, ju uroj përzemërsisht Gëzuar Vitin e Ri 2022!
Uroj që vatrat e familjeve shqiptare të mbushen me dashuri, gëzim, shëndet dhe mirëqenie, e të gjithë bashkë të punojmë për një të ardhme më të mirë, ku fëmijët tanë të njohin gëzimin që meritojnë dhe ku të realizohen shpresat tona për një Shqipëri normale, me mundësi për të gjithë.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja”, shkruan Basha.
Nuk ka munguar nje urim as nga ish-kryeministri Berisha, i cili në një videomesazh me rastin e ndërrimit të viteve, lideri historik i demokratëve. Sali Berisha ka bërë një bilanc të vitit 2021, i cilësuar prej tij si vit i tmerrshëm, por dhe vit i mrekullisë shqiptare.
Lideri historik i demokratëve tha se viti 2021 ishte si medalja me dy anë, njëra e zezë dhe tjetra e ndritur. Ai renditi arsyet se pse ky vit ishte, siç tha ai, i tmerrshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por Berisha u ndal edhe në anën e ndritur të medaljes, që sipas tij, e bën 2021-shin vitin e mrekullisë shqiptare. Ai tha se opozita u ngrit si feniksi teksa anëtarësia e Partisë Demokratike mori në dorë fatet e saj.
Në fund, ish-kryeministri Berisha bëri një urim special për të gjithë qytetarët shqiptarë.