Greqia dhe Turqia janë pajtuar të shmangin përplasjet aksidentale në Mesdheun lindor duke vendosur një linjë të komunikimit të drejtpërdrejtë ushtarak, njoftoi Aleanca Veriatlantike, NATO.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e mirëpriti këtë zhvillim, i cili vjen pas disa javësh bisedimesh midis zyrtarëve ushtarakë nga dy vendet anëtare të aleancës.
Ankaraja dhe Athina kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime, pasi kaluan disa javë mosmarrëveshje rreth eksplorimit të gazit në rajon.
Situata çoi në një ngritje dramatike të tensioneve, duke shkaktuar frikën se konflikti mund të shpërthente, mbase edhe rastësisht.
“Pas një sërë takimesh teknike midis përfaqësuesve ushtarakë të Greqisë dhe Turqisë në Selinë e NATO-s në Bruksel, erdhi deri te krijimi i një mekanizmi dypalësh ushtarak”, tha NATO-ja përmes një deklarate.
Stoltenberg falënderoi të dyja palët për “angazhimin e tyre konstruktiv”.
Njoftimi i erdhi ndërsa udhëheqësit e Bashkimit Evropian filluan bisedimet në kuadër të një samiti mbi marrëdhëniet e tyre me Turqinë.
Turqia ka shprehur dëshirë për t’u bashkuar me BE-në gjatë pesë dekadave të fundit, por analistët thonë se numri në rritje i mosmarrëveshjeve midis Erdoganit dhe udhëheqësve të bllokut i ka zbehur këto perspektiva./rel