Një numër i madh ekspertësh thonë se lajmi më i rëndësishëm i i takimit të NATO-s të mbajtur së fundmi në Londër ishte se aleanca më e qëndrueshme dhe më efektive në histori botërore, për herë të parë përcakton Kinën si një sfidë strategjike. Ata argumentojnë se Pekini po synon të sundojë industrinë e teknologjisë së lartë në botë përmes gjigantit të saj të teknologjisë “Huawei”, të krijojë një ushtri të fortë sikurse ajo e Shteteve të Bashkuara si dhe të lidhë shumicën e popullatës botërore me projektin e saj infrastrukturor “një brez një rrugë”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi ka biseduar me dy ish-komandantë të lartë të NATO-s mbi rrezikun gjeostrategjik që paraqet Kina.
Diskutimet në takimin e NATO-s në Londër u përqendruan tek njohja e faktit se Pekini është një konkurent i rrezikshëm botëror për aleancën, më i shkathët dhe më i fuqishëm krahasur dhe me ish- Bashkimin Sovjetik, thotë ish-komandanti i lartë ushtarak i NATO-s gjenerali në pension James Jones.
“Qëllimi strategjik i Kinës është sundojnë jo vetëm popullin e vet, por të shtrijë duart kudo të mundet në pjesën tjetër të botës. Dhe këtë po e bën me shumë aftësi, duke depërtuar dhe investuar në ekonomitë e vendeve tona, duke përdorur teknika pothuajse kapitaliste. Por në të njëjtën kohë duke zhvilluar spiunazhin kibernetik si dhe vjedhur pronën intelektuale me një efektivitet të pashembullt“, thotë ai.
Kina synon të ndërtojë infrastrukturën digjitale të shekullit 21-të, me ndihmën e gjigantit të saj në fushën e teknologjisë Huawei.
Zoti Jones parashikon se Kina do ta shfrytëzojë pozicionin e saj për të fituar avantazh ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
“Një organizatë si NATO-ja duhet të ketë një sistem të sigurt në mënyrë që të funksionojë. Nuk mund të ketë 10 vende me Huawei-n dhe 20 vende me diçka tjetër. Arsyeja pse e trajtoj këtë çështje me shumë pasion është sepse problemi është aktual po ndodh tani dhe jo pas 10 vitesh”, thotë ai.
Sipas zotit Jones gara për epërsi në sistemin 5G është po aq e rëndësishme sa ishte ajo për të prodhuar bombën e parë atomike apo e çuarjes së njeriut të parë në Hënë.
“Kina është një fuqi në rritje. Popullsia e saj është 4 herë më e madhe sesa e Shteteve të Bashkuara. Ka një klasë të mesme që është më e madhe sesa e gjithë popullata amerikane. Ka shënuar arritje të jashtëzakonshme me tërheqjen e investimeve e teknologjisë të huaj”, thotë gjenerali Wesley Clark, ish-Komandant i lartë i NATO-s.
Për të minimizuar rreziqet, NATO duhet të hartojë një plan për t’u mbrojtur kundër përpjekjes së Kinës për epërsi botërore, thotë zoti Clark.
“Nuk sjell asgjë të mirë fakti që Shtetet e Bashkuara i bëjnë presion Kinës në lidhje me teknologjinë dhe më pas Gjermania, Franca ose ndonjë aleat tjetër i NATO-s i shesin teknologji Kinës. Kjo është sfida jonë. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë për t’u përballur me Kinën. Nëse e bëjmë këtë mund ta menaxhojmë sfidën që paraqet Kina”, shton ai.
Thirrja e Uashingtonit për përqendrim më të madh tek Pekini ka tërhequr vëmendjen e pjesës më të madhe të Evropës, ku po rritet shqetësimi rreth avantazhit në rritje ekonomik, ushtarak e teknologjik të Kinës.
“Për herë të parë, ne adresuam çështjen e gjallërimit të Kinës, si sfidat ashtu edhe mundësitë që paraqet, por dhe ndërlikimet mdaj sigurisë sonë. Udhëheqësit pajtohen që ne duhet ta adresojmë këtë çështje së bashku, si aleancë“, thotë Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Aleanca e Atlantikut të Veriut, prej 29-anëtarësh e cila festoi 70 vjetorin e saj në fillim të këtij muaji (dhjetor), përfaqëson gjysmën e fuqisë ekonomike e ushtarake në botë./voa