Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi të mërkurën se çdo sulm ndaj Polonisë ose një anëtari tjetër të aleancës do të kishte një përgjigje të fortë duke riafirmuar angazhimin e bllokut për të mbrojtur krahun e saj lindor.
“Nëse dikush do të llogariste gabimisht dhe do të mendonte se mund të shpëtojë me një sulm ndaj Polonisë ose ndaj ndonjë aleati tjetër, ata do të përballen me forcën e plotë të kësaj aleance të ashpër”, tha Rutte.
”Reagimi ynë do të jetë shkatërrues”, theksoi ai.
Duke iu referuar drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin, Rutte shtoi se “kjo duhet të jetë shumë e qartë për Vladimir Vladimirovich Putinin dhe këdo tjetër që dëshiron të na sulmojë”.
Vërejtjet e Ruttes, të bëra së bashku me kryeministrin polak Donald Tusk në Varshavë, vijnë mes shqetësimeve në rritje në Poloni dhe shtetet baltike se Rusia mund të kërkojë të testojë unitetin e NATO-s nëse mbizotëron në Ukrainë, ndoshta përmes një inkursioni të kufizuar ushtarak ose një lufte hibride.
Polonia, e cila ndan 5% të PBB-së së saj për mbrojtjen, është një nga anëtaret lindore më të armatosura të aleancës.
Tusk i bëri jehonë qëndrimit të Ruttes duke bërë thirrje për një “paqe të drejtë” në Ukrainë.
“Vetëm një paqe e drejtë do të na japë të gjithëve një ndjenjë sigurie”, tha ai