Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka hedhur poshtë krahasimet midis ndërhyrjes së kësaj Aleance në Kosovë më 1999 dhe situatës aktuale në Ukrainë.
“Është ide e gabuar se shpërbërja e ish-Jugosllavisë nisi me ndërhyrjen e NATO-s. NATO atje ndërhyri për të ndalur krimet në Kosovë. Në atë kohë Jugosllavia veçse ishte shpërbërë”, tha Stoltenberg kur u pyet nga gazetarët në Bruksel nëse ndërhyrja e Aleancës më 1999, pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shkaktoi shpërbërjen e Jugosllavisë.
Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake nisën më 24 mars të vitit 1999 dhe zgjatën për 78 ditë. Kjo ndërhyrje i dha fund luftës në Kosovë.
Këto komente Stoltenberg i bëri pas një takimi që shtetet anëtare të NATO-s zhvilluan në Bruksel me zyrtarët rusë, pas tensionimit të situatës në Ukrainë.
Moska ka dërguar rreth 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, që nga Perëndimi po shihet si përgatitje për një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Rusia po kërkon garanci që NATO të ndalë zgjerimin nga lindja si dhe të tërheqë trupat nga shtetet lindore, që kufizohen me Rusinë.
Duke folur për këto kërkesa të Rusisë, Stoltenberg tha se “NATO, sipas artikullit 5, parimit se sulmi ndaj një shteti anëtar është sulm ndaj të gjithëve, do të mbrojë secilin shtet anëtar”.
NATO përsëriti qëndrimin se secili shtet sovran ka të drejtën që të zgjedhë vetë nëse dëshiron të anëtarësohet në këtë Aleancë ushtarake, teksa Moska po insiston që Ukraina të mos bëhet pjesë e kësaj Aleance, duke e cilësuar një gjë të tillë si “vijë të kuqe”.
Në pyetjet nëse me dërgimin e armatimit në Ukrainë ndihmon në uljen e tensioneve, Stoltenberg hodhi përgjegjësinë te Rusia për përshkallëzimin e situatës.
“Ukraina është një shtet sovran dhe ka të drejtë të mbrohet. Rusia është ndër fuqitë më të mëdha në Evropë, fuqi bërthamore. Ajo tashmë e ka përdorur forcën ushtarake kundër Ukrainës dhe ka okupuar dhe aneksuar territor të Ukrainës. Të fajësosh Ukrainën është përmbysje e plotë e të vërtetës dhe gjërave. Rusia është ajo e cila edhe sot kërcënon duke grumbulluar forcat në kufi me Ukrainën. Prandaj është e rëndësishme që Rusia të ulë tensionet. Disa shtete të NATO-s duan të ndihmojnë Ukrainën që ajo të realizojë të drejtën e saj për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.
NATO i ka cilësuar si “serioze dhe të drejtpërdrejta” bisedimet që zhvilloi në Bruksel me zyrtarët rusë./Rel