NATO thotë se “respekton” vendimin e Serbisë që të mbajë stërvitje ajroreushtarake me Rusinë, ku sistemet e mbrojtjes raketore ruse S-400 dhe Pantsir-S janë po ashtu pjesë e këtyre stërvitjeve.
Rusia tha se sistemi S-400 dhe ai Pantsir-S po marrin pjesë në ushtrimet “Mburoja Sllave 2019”, që Moska po zhvillon me Beogradin zyrtar, me qëllim që të testojë aftësitë mbrojtëse ajrore të të dyja vendeve.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se sistemet tokë-ajër janë vendosur në bazën në Batajnicë, që gjendet në periferi të Beogradit.
Është hera e parë që sistemet S-400 dhe Pantsir-S marrin pjesë në stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, tha ministria.
Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e NATO-s tha se aleanca dhe Serbia “janë partnerë dhe ne respektojmë të drejtën e Serbisë që të ndërmarrë vendime sovrane lidhur me stërvitjet që kryen në territorin e saj”.
Kjo është një çështje që i përket Serbisë dhe Rusisë” thuhet në deklaratën e NATO-s, ku theksohet se “Serbia është partner i NATO-s” dhe se vendet e Ballkanit “kanë një marrëdhënie të mirë dhe produktive” me aleancën Perëndimore.
Sistemi S-400 do të kthehet në Rusi pasi të përfundojnë stërvitjet më 29 tetor.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se sistemi Pantsir do të blihet nga qeveria e tij.
Serbia ka marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Rusinë, pavarësisht se thotë se qëllimi i saj është t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar që t’i bashkohet vendeve perëndimore, të cilat kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës